Shqipëria do të fillojë zbatimin e marrëveshjes me Britaninë e Madhe për transferimin e të burgosurve drejt vendit tonë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë 200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uells që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë, do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.

Falë marrëveshjes, pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në vendin tonë dhe Shqipëria do të mund të rrisë investimet për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në sistemin e burgjeve.

Ndërkohë që u japim mundësinë të dënuarve shqiptarë në Britaninë e Madhe, të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjeve të tyre, Shqipëria do të mund të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e sistemit penitenciar.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri britanik Rishi Sunak në dhjetor 2022 dhe pas diskutimeve që dy liderët zhvilluan në Londër në mars 2023.

Gjatë takimit dypalësh mes kryeministrit Rama dhe Rishi Sunak në mars 2023 ata ranë dakord që një ekip i përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë, një proces që do të përfundonte deri në fund të prillit, me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar.