Nga Hasan Bello/
Për marrëdhëniet e Fan Nolit me rusët ekziston pak informacion. Gjithësesi të gjithë historianët bien dakord për ndihmën që ai mori më 8 mars 1908, kur u shugurua prift nga kryepeshkopi Platon Rozhdestvensky i Kishës Ruse në ShBA dhe simpatinë që ai kishte për Bashkimin Sovjetik. Sipas biografëve të Nolit dhe dokumentacionit arkivorë, ai e ka vizituar dy herë Rusinë. Një herë më 10 gusht 1911, kur shkoi në Odesë dhe Kishinjev dhe, herën e dytë në nëntor 1927 me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit Bolshevik të Tetorit si pjesë e një delegacioni nga popujt e Ballkanit.
Por a ka planifikuar ndonjëherë Noli të vendosej në Bashkimin Sovjetik?
Sipas burimeve ruse, pas rikthimit të Zogut në dhjetor të 1924-ës, Noli dhe bashkëpunëtorët e tij shprehën dëshirën për tu vendosur në Odesë me statusin e emigrantit politik. Por kolegjiumi i Komisariatit të Popullit për Punët e Jashtme (Ministria e Jashtme e Bashkimit Sovjetik) më 26 janar 1925 e konsideroi të padëshirueshme vendosjen e Nolit në Odesë. Kjo mund të lejohej vetëm në rast se, ai realisht nuk mund të qëndronte në shtetet perëndimore. Sipas rusëve ardhja e Nolit në BRSS do të thoshte fundi i karrierës së tij politike dhe se ai “në rastin më të mirë do të gjendej në rolin e pensionistit emigrant, i cili do të kishte humbur çdo rëndësi politike për ne”. Politika dhe diplomacia ruse shfaqi mendimin që ai të vendosej në Vjenë ku ishte zyra e Kominternit për Europën. Nga këtu Noli do të merrte financime të majme për përhapjen e komunizmit në Shqipëri.
Një arsye tjetër pse rusët nuk e dëshironin vendosjen e Nolit në BRSS ishte frika që ata kishin se mos ai ashtu si shumë intelektualë dhe shkrimtarë të njohur me famë botërore pasi jetonin disa kohë në BRSS pësonin një zhgënjim të madh. Reformat, mjerimi dhe represioni i shtetit komunist nuk përputhej aspak me përfytyrimin që ata kishin krijuar për “parajsën komuniste”.
Megjithëse nuk u lejua të emigronte në BRSS shumë shpejt Noli e kuptoje utopinë e ideologjisë komuniste. Ai u distancua nga kjo lëvizje pas procesit të industriualizimit që Stalini filloi në BRSS dhe ndërprerjes së fondeve të Kominternit për bashkëpunëtorët e tij në Europë. Kjo e detyroi Nolin që në vitin 1932 të emigronte nga Vjena drejt ShBA-së.