Edhe pse kanë mbetur vetëm dy javë nga zgjedhjet, Partia Demokratike nuk ka çuar ende listën me komisionerët e saj. Në këto kushte, Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji i kërkon Ilirjan Celibashit listën e anëtarëve Kryesisht.
“Së fundmi, jemi vënë në dijeni se në disa Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, subjekti zgjedhor “Partia Demokratike” ende nuk ka dërguar propozimet dhe dokumentet për anëtarë në Komisionet e Qendrave të Votimit, në tejkalim te afateve të përcaktuara në nenin 36 pika 2 të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar.
Nisur nga sa më sipër, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt zgjedhor në përputhje me standardet e legjislacionit në fuqi, lutemi:
I. Të na vini në dispozicion një kopje të vendimit të Komisionerit së bashku me listën e personave që mund të emërohen kryesisht për të plotësuar vendet vakante për anëtar dhe sekretar të KQV-së, sipas përcaktimeve të nenit 36 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar dhe nenit 11 të udhëzimit nr. 2, datë 5.12.2020, të Komisionit Rregullator, “Në caktimin e procedurave të përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht për plotësimin e vakancave në Komisionet e Zonës së Administrimit Zgjedhor dhe Komisionet e Qendrave të Votimit”, i ndryshuar”, thuhet në kërkesën drejtuar KQZ-së.