Nga Carlo Bollino/
Lexoj kudo opinione të dëshpëruara të shumë analistëve të opozitës që për muaj të tërë shpresonin që me 14 maj Rama të humbte, mirëpo të hënën në mëngjes u zgjuan në makthin e një disfate të ripërsëritur. Pastaj lexoj se po këta analistë, për të justifikuar humbjen, gjejnë strehë në alibinë e përjetshme të manipulimeve, të zgjedhjeve të vjedhura, të makinës elektorale të ndërtuar nga PS që duket e pamposhtur, të patronazhistëve, të app në celularë, të favoreve të bëra nga qeveria e kështu me radhë me një listë të pafundme justifikimesh. Kështu, kam dy pyetje për të bërë: Me të vërtetë besojnë se standartet e zgjedhjeve të 14 majit ishin më të këqija se ato të 2013, kur Edi Rama dhe Ilir Meta fituan zgjedhjet duke i dhënë shuplakën e famshme të 1 milion votave Sali Berishës, i cili në atë moment kontrollonte çdo pushtet të Shtetit? Dhe, vërtetë besuan se mund të fitoheshin zgjedhjet me Sali Berishën si lider, i mundur më pak se 24 muaj më parë në zgjedhjet politike kur ishte akoma me Lulzim basha në krye të një force politike të bashkuar?
Analistët e opozitës e kanë zakon të qahen dhe përfundimi ku arrijnë përherë është se faji është i Edi Ramës që nuk ia dorëzon vullnetarisht pushtetin kundërshtarëve. Kujtoj pragun e votimeve të vitit 2021, ku shumë e konsideronin arrogant sepse pretendonte mandatin e tretë, si të thuash që në Itali Demokracia Kristiane të vendoste të tërhiqej pas 8 viteve në vend të 45 viteve që qëndroi në pushtet duke fituar zgjiedhje. Çështja që iu rrëshket këtyre analistëve të salloneve televizive është se zgjedhjet fitohen duke grumbulluar më shumë vota, jo duke humbur edhe ato që kanë. Është fakt se nga 2013 deri më sot Partia Demokratike ka humbur në mënyrë të vazhdueshme një pjesë të madhe të votave që kishte mbledhur, ndryshe nga Partia Socialiste që pas një hemorragjie të parë, ka mundur më pas të ruajë deri sot pjesën më të madhe të elektoratit të saj. Ç’faj kanë Edi Rama dhe Partia Socialiste që PD humbet vazhdimisht copëza konsensusi? Ç’faj kanë socialistët nëse me 14 maj gati 300.000 shqiptarë që në 2021 kishin votuar për PD ose për LSI nuk u paraqitën në votime, ndërsa gjithë zgjedhësit socialistë e bënë? Ku qëndrojnë manipulimet elektorale nëse PS fitoi jo se ka shtuar votat, por sepse i ka humbur kundërshtari?
Po përsëris atë që them prej vitesh. Nuk është mazhoranca ajo që duhet të ndihmojë rotacionet, por duhet të jetë opozita t’i fitojë ato. Manipulimet mund të modifikojnë përqindje të vogla, jo të përmbysin një rezultat dhe këtë ma konfirmojnë ekspertët e Partisë Demokratike. Një rotacion pushteti është i mundur vetëm duke përmbysur trendin e konsesusit. Socialistët numerikisht, për shumë arsye historike dhe sociale, kanë më shumë vota militante se Partia Demokratike. Një kusht i domosdoshëm që opozita të fitojë, pra, nuk është vetëm ai i ruajtjes së votave që ka, por edhe t’i shtojë duke bindur të ashtuquajturin elektorat gri, pra të moderuarit. Atëherë, me të vërtetë analistët e opozitës besojnë se Sali Berisha dhe Ilir Meta me gjuhën e tyre të zjarrtë dhe kërcënimet (deri edhe anti-amerikane), mund t’u pëlqejnë zgjedhësve të moderuar? Përse, në vend që të shpikin alibitë e zakonshme që prej kohësh nuk i beson më njeri mbi votat e vjedhura, opozita dhe analistët e saj nuk fillojnë një refleksion të ndershëm mbi votat e humbura? (Shqiptarja.com)