Kryeministri Edi Rama bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të PS Damian Gjiknuri zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e Belshit, prej të cilëve kërkuan mbështetjen për kandidatin e Partisë Socialiste, Arif Tafani.

Drejtuesi politik i PS për Qarkun Elbasan nënvizoi se falë vëmendjes dhe mbështetjes së qeverisë, Belshi është transformuar tërësisht. “ Dora e qeverisjes socialiste e ka transformuar këtë vend. Këtu në Belsh ne kemi krenari sepse shikojmë një qytet të transformuar, shikojmë një bashki të transformuar. Belshi është një nga vendet që i bën krenar të gjithë, aq më tepër ju që jeni nga ky vend. Në 14 maj ne kemi mundësinë që, mesazhin tonë nëpërmjet votës, ti themi përpara dhe njëherë Arifit i cili ka gjurmët e tij në këtë zhvillim të bashkisë, patjetër jo vetëm, bashkë me Edi Ramën se dhe ai i vetëm s’mund ti bënte këto. Pse e them këtë dhe kush është arsyeja që ne e rikandiduam prapë Arifin. Unë e kam thënë dhe herë të tjera, Arifi është njeriu që di të punojë, di të respektojë njerëzit, por mbi të gjitha ka vizion për zhvillimin e Belshit. Nuk është rastësi që kjo bashki dhe ky kryetar bashkie, Arifi, ka qenë shtytësi më i madh i projekteve zhvillimore të Belshit sepse ka ditur ti prezantojë ato, ka ditur të marrë vëmendjen e kryeministrit dhe patjetër ai meriton të marrë mbështetjen tone”, tha ai.

Numri dy I socialistëve theksoi se vota për Arifin dhe Partinë Socialiste është një votë për të ecur përpara për zhvillimin e Belshit. “Alternativë tjetër këtu nuk ka. Alternativa që këtu kemi përballë ju e dini që ka qenë një ish kryetar që e kanë nxjerrë tani si fosilet e historisë dhe po ja sjellin prapë qytetarëve të Belshit që do të na çojë në atë kohën kur në Belsh të vinte turp të vije sepse këtu ishte një gjol. Një gjol i rrethuar nga një grumbull godinash dhe që s’kishte as edhe një vlerë për t’u parë. Ajo martesa e re me zakone të vjetra, edhe ky përfaqësuesi i tyre këtu, që kur vjen ju kërkon votën thotë unë jam djali juaj. Kur i thoni ju kush të ka sjellë? Sali Berisha me Ilir Metën. Se në fletën e votimit Ilir Metën kanë ata, BF, Ilir Meta alias Bedriu. Praktikisht kjo është oferta që i sjellin Belshit. Po pse do kthehemi ne në atë kohë? Unë besoj se s’duhet të kthehemi më në atë kohë dhe jam i bindur që qytetarët e Belshit nuk kanë as arsyen më minimale që të kthehen në atë kohë sepse zhvillimin e shohin me sy”, deklaroi Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS theksoi dhe rëndësinë e votës për anëtarët socialist në Këshillin Bashkiak, në mënyrë që vendimmarrjet të mos mbeten peng.

“Ne votojmë jo vetëm për kryetarin e bashkisë, nuk diskutohet që Arifi është i fituar, por votohet dhe për këshillin bashkiak. Jepini votat Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak. Jepini që ai të mos mbetet peng i vendimmarrjeve meskine të vogla të përfaqësuesve që vijnë edhe si kushërinj. Në fund vota në 14 maj ka dhe një mesazh të rëndësishëm për politikat e qeverisë Rama, se e kemi këtu kryeministrin dhe i themi mirë se erdhe, Belshi të respekton dhe vlerëson. Në 14 maj ne votojmë edhe për atë politikë të mirë të majtë të Partisë Socialiste për rritjen e pagave të administratës dhe rritjen e pagës mesatare çdo shqiptari. Ky nuk është thjesht shpërblim për njerëzit por investim për të ardhmen tonë për djemtë dhe vajzat e Belshit të cilët mbarojnë shkollën dhe duan ta ndërtojnë jetën dhe të ardhmen këtu”, u shpreh Gjiknuri.

Më pas, u vijua me mbjelljen e pemëve të dhuruara nga Partia Socialiste, falë shkurtimit të shpenzimeve elektorale.