Kryeministri Edi Rama e cilësoi fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit si, fushata me më pak shpenzime, për shkak të mos vendosjes së posterave dhe flamujve.
Në një intervistë televizive, Rama tha se, shpenzimet janë shkurtuar e zëvendësuar me mbjellje pemësh.
“Ne kemi thënë qysh në fillim do bëjmë një fushatë me shumë më pak shpenzime, pa mjete të rënda propagande, pa logjistikë të rëndë, pa tribuna, pa ekrane që kushtojnë shumë, pa postera nëpër mure, pa flamuj nëpër shtylla. E vërteta është që kemi shkurtuar shpenzimet aq shumë saqë do të mbjellim deri në fund të kësaj fushate, mbi 25 mijë pemë”, deklaroi Rama.
Lidhur me rezultatin që pret përpara opozitës, Rama u shpreh se, e ka mundur kundërshtarin në çdo zgjedhje.
Sipas Ramës, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në vendoret e 14 majit.
“Unë kam bërë vetëm detyrën. Opozitën shqiptare e kam mundur sa herë e kam pasur përballë. Pastaj, arsyet pse opozita shqiptare, është katandisur në këtë derexhe le t’i gjejnë vetë arsyet, unë i kam thënë qysh në 2013-ën. Nëse ju do të mohoni realitetin, nëse ju nuk do të lexoni si duhet humbjen. Nëse ju nuk do të kuptoni që juve ju mund populli, nuk ju mundin kriminelët, juve do të humbni, do të humbni dhe vetëm do të humbni!”
Rama theksoi se, Meta e Berisha i përkasin së shkuarës politike të vendit.