Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim falënderues me qytetarët e Gjirokastrës, ku theksoi se, “vitin e 2022 e kemi mbyllur me 200 mijë turistë”.

“Në 2013 e gjetëm me 6 mijë turistë e vizitorë dhe besoj që janë dy shifra që tregojnë gjithçka për çfarë është bërë”, tha rama.

“Sa herë vjen në Gjirokastër shikon gjëra të reja. Kur e nisëm rilindjen urbane kishte një hotel e gjysmë, sot janë mbi 250 dyer të hapura, të cilave iu shtohen edhe dyer që janë hapur në bashkitë e tjera deri në Tepelenë. Tepelena ishte një vend ku të gjithë donin të iknin dhe ku ata që ktheheshin ktheheshin për ndonjë vaki ose për dasëm për të marrë nusen e për të ikur prapë”, tha Rama.

Sot, vijoi Rama, “realiteti është tjetër. Janë 40 milionë euro të investuara nga tepelenasit, emigrantë, të cilët po i rikthehen Tepelenës për të ndërtuar hotele, bujtina dhe diçka e paimagjinueshme, investime private në Tepelenë përtej investimeve që ne kemi bërë që i kanë hapur rrugë këtij zhvillimi:.

Rama foli edhe për Përmetin për të cilin tha se, është në transformim të vazhdueshëm.

Kryeministri Rama u shpreh se, “sot në mëngjes ishim për të qëndruar tek pazari dhe një lokal aty kërkonte një sanitare 60 mijë lekë të reja. Paga minimale e hoteleve të Gjirokastrës është domethënëse, po të kemi parasysh nga kemi nisur”.

“Ndërkohë, nuk është më krijimi i vendeve të punës, por është plotësimi i tyre me forca të reja pune sfida më e madhe. Me rritjen e pagave që kemi nisur po lëviz piramida e pagave në sektorin privat, sipërmarrësit po e kuptojnë që duhet të rrisin pagat nëse duan të marrin mbrapsht investimet e tyre se mund të gjenden pa forcë pune”.

“Është plotësisht e mundur që numrin e turistëve në Gjirokastër ta çojmë gjysmë milionë, që do të thotë ta rrisim numrin e turistëve në të gjitha zonat e qarkut përfshirë edhe Dropullin”, tha Rama.