Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar në Vlorë, me rastin e nisjes nga puna të Njësisë Policore Detare, një strukturë e re sezonale për të siguruar pushuesit në zonat bregdetare.
Në prezantimin e Njësisë së re në Lungomare, Vlorë, ishin edhe ministrin e Brendshëm, Blendi Çuçi, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe efektivë të policisë.
Njësia Policore Detare, është struktura më e re e sapokrijuar në interes të rritjes së sigurisë për pushuesit vendas dhe të huaj në zonat bregdetare, si edhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme dhe të sigurta të pushuesve në hapësirën ujore për notim dhe argëtim. Njësia do t’i shërbejë edhe monitorimit të të gjithë mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, që përdorin hapësirën ujore Shqiptare gjatë sezonit turistik veror.
Njësia Policore Detare përbëhet nga 104 punonjës policie të përzgjedhur nga Policia Kufitare & Migracionit dhe Policia e Rendit, e trajnuar dhe e certifikuar nga specialistë të Rojës Bregdetare Shqiptare në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit & Migracionit.
Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Rama kujtoi ngjarjen tragjike në Potam, gjatë sezonit të kaluar veror, ku humbi jetën një fëmijë, e goditur nga një mjet lundrues që drejtohej nga një punonjës policie.
“Sezoni i shkuar turistik veror, i cili ishte në të gjitha aspektet sezoni më i suksesshëm për turizmin në Shqipëri u përgjak dhe u njollos rëndë nga një ngjarje e cila revoltoi të madh e të vogël dhe hidhëroi gjithë Shqipërinë. Një ngjarje e provokuar nga një pjesëtar i padenjë i shëmbëlltyrës së të keqes në komunitetin e Forcave të Policisë. Humbi jetën një vogëlushe krejtësisht pa asnjë arsye në botë dhe doli në pah një tjetër dobësi e shtetit në përballjen me një peshë krejt të re si rezultat i transformimit të vazhdueshëm të sezonit turistik”, tha Rama.
Rama theksoi se mjetet e ujit të cilat janë shtuar ndjeshëm, kanë shtuar ndjeshëm edhe rrezikshmërinë për pushuesit duke shtuar një stres të pamerituar për ata që shkojnë në bregdet.
Kjo sipas tij, shton ndjeshëm edhe shkallën e përgjegjësisë së forcave të policisë dhe përkatësisht të Policisë Kufitare.
“Njësoj si në Shqipërinë e fillim viteve ’90 kur rrugët e Shqipërisë në mënyrë të shpejtë e të beftë filluan të mbushen me makina private, kjo u shoqërua me krijimin e një thertoreje rrugësh nga kjo risi e madhe e shoqëruar me mungesën e kulturës së drejtimit të mjeteve, mungesën e standardeve të sigurisë dhe me mungesën e përgatitjes së forcave të Policisë Rrugore për të përballur atë prurje masive që solli ndryshimi i sistemit”, tha Rama.
Sipas tij, në shkallë më të vogël, por edhe situata në ujë është e njëjta gjë.
“U desh ajo tragjedi tronditëse për të reaguar në një reflektim të thellë dhe nxjerrë një mësim të madh dhe për t’iu përgjigjur sfidës së re të një rreziku të shtuar në brigjet tona”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se akti kriminal i atij individi që turpëroi gjithë Policinë e Shtetit, i uli kokën shtetit dhe na bëri të gjithëve të skuqemi si asnjëherë tjetër, duhet tu shërbejë të gjithë punonjësve të policisë si një kambanë alarmi.
“Unë e pata premtuar se kjo njësi të mbante emrin e vogëlushes. Në mirëkuptim të plotë me familjen e saj ramë dakord që kjo gjë të mos bëhet. Por nga ana tjetër ai kujtim duhet të jetë motivi i punës, i mundit dhe motivi i suksesit të kësaj njësie, që ajo humbje e tmerrshme e familjes dhe gjithë popullit shqiptar të shërbejë që fëmijët, prindërit, familjet, vizitorët, turistët të ndjehen të sigurt, të qetë e të lumtur në ato ditë që mezi i presin për të pushuar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se krijimi i Njësisë Speciale të Ujit me gjithë mjetet e nevojshme për ta vënë plotësisht nën kontroll aktivitetin në ujë të mjeteve lundruese private, kërkon angazhim dhe bashkëpunim për të zgjidhur çdo problem.
“Kjo, që nga ndalimi dhe marrja e masave të menjëhershme ndaj atyre që nuk i përdorin mjetet lundruese sipas rregullave dhe bëhen rrezik e stres për pushuesit me akrobacitë e tyre motorike aty ku të tjerët duhet të bëjnë plazh, deri te ndihma e shpejtë për ata që do të kenë nevojë për ndihmë më ujë. Kjo kërkon një koordinim shumë të mirë edhe me policinë në tokë, me të gjitha drejtoritë dhe komisariatet e policisë që mbulojnë territorin e bregdetit apo vijave liqenore”, tha Rama.
Sipas tij, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkë me Ministrinë e Brendshme kanë përgatitur edhe të gjithë hartën e lëvizjeve, ndalesave dhe mundësive për veprim të mjeteve lundruese të gjithë kalibrave.