Kryeministri Edi Rama, në turin e tij të falenderimeve të ndërmarrë në bashki të ndryshme të vendit pas fitores së 14 majit, është ndalur sot në Selenicë ku ashtu si në qytete të tjera ka falenderuar edhe qytetarët të cilët nuk dolën në votim pasi sipas tij kanë refuzuar të votojnë për koalicionin Berisha-Meta.

Ai tha se qytetarët e djathtë të cilët nuk pranuan të dalin në votim refuzuan të mbështesin Berishën dhe Metën.

Në 14 maj bënë një hap të mençur disa duke votuar për kandidatët tanë, disa duke mos dalë në votim. Mosdalja në votim e një pjese të tyre është kontributi më i rëndësishëm që ata kanë dhënë për të ardhmen e vendit tonë sepse nuk pranuan të dalin në votim përtë vënë kryqin e votës së tyre tek një bashkim hijesh të së shkuarës që janë aty për ta tërhequr Shqipërinë vetëm mbrapa por dështuan dhe do vazhdojnë të dështojnë sepse ne do shkojmë vetëm përpara”- tha Rama.

Ndërsa duke folur për projektet e ardhshme në këtë zonë, Rama tha se do të bëhet maksimumi për të përmirësuar jetesën edhe pse nevojat gjithmonë janë më të mëdha sesa mundësitë. Ai tha se rruga e përfunduar e lumit të Vlorës do të sjellë rritjen e menjëhershme të vlerës së tokave të banorëve të zonës gjithashtu edhe rritjen e numrit të turistëve të cilët do të preferojnë luginën para bregut të detit.

“Kam besim që rruga e lumit të Vlorës siç ka sjellë rritjen e menjëhershme të vlerës së tokave do sjellë edhe rritjen e vlerave të ekonomisë së zonës. Është një luginë e cila vitet e ardhshme do kthehet në destinacion turistik sepse është mrekulli e vërtetë dhe do jetë një zonë komplementare me bregun e detit dhe do jetë një territor ku shumëkush do preferojë të shkojë atje para se të shkojë në breg të detit”-shtoi kryeministri.

Pas fitores në 53 bashki në zgjedhjet vendore të 14 majit, Rama ka nisur një tur falenderimesh në qytete të ndryshme të vendit, apo siç e quan ai ‘tur mirënjohje për qytetarët që i besuan PS’. Këto takime, Rama i nisur nga veriu i vendit, në Shkodër ku ndodhi surpriza më e madhe në këto zgjedhje me fitoren e kandidatit të PS Benet Beci me 10 mijë vota diferencë përballë Bardh Spahisë.