Akademia e Shkencave e Shqipërisë përshëndeti vendimin e Qeverisë për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike që i vendos institutet dhe njësitë përbërës të saj si njësi autonome pranë Akademisë së Shkencave, duke e konsideruar atë si një vendim që u jep të dy institucioneve mundësinë dhe përgjegjësinë për zhvillimin në një nivel të ri të shkencave albanologjike.
“Statusi i ri që u jepet instituteve shkencore të albanologjisë si pjesë elitare e sistemit të kërkimit shkencor, pas një periudhe veprimtarie jo në përputhje me ligjet në fuqi, do të forcojë dukshëm edhe vetë statusin e punonjësve shkencorë”, thuhet në reagimin e Akademisë së Shkencave.
Ky vendim, sipas ASH-së shpreh rritjen e interesit e të angazhimit të qeverisjes për të rritur dhe evidencuar financimin dhe investimet për kërkimin shkencor, ashtu siç po vepron me mbështetjen për tri projektet madhore në albanologji e për ngritjen e njësive të reja kërkimore-shkencore me impakt kombëtar.