Do të vazhdojmë transformimin e mëtejshëm të lagjes 17, duke punuar njëkohësisht me programin e rindërtimit, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe parkimin publik. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste në takimin me banorët e lagjes 17.
Kryebashkiakja Sako tha se gjithë lagjja 17 dhe zona përballë saj, janë kthyer në një kantier të madh ndërtimi, pjesë e së cilës është linja hekurudhore Durrës-Tiranë, ngritja e godinës për parkimin publik, ndërsa po punohet për parkimin e rezidentëve nëpër lagje.
“310 famije do marrin shtëpitë e tyre në përfundim të këtij viti. Do të kemi lidhjen direkte të Tiranës dhe Durrësit me hekurudhën. Porjketi i parë publik në qytetin tonë është hapi ynë i radhës”- tha ajo. Në takimin me banorë të kësaj lagje ka qenë e pranishme edhe deputetja Klodiana Spahiu e cila tha se Sako, e mori drejtimin e bashkisë në një situatë të vështirë, ku qyteti ishte goditur nga tërmeti dhe më pas pandemia. Spahiu shtoi se kryebashkiakja Sako ka punuar shumë duke ju gjendur pranë të gjithë banorëve pa dallim të majtë apo të djathtë.