Kryebashkiakja Emiriana Sako ka reaguar pas disa kritikave të ardhura nga rivali i saj politik për Durrësin, Igli Cara.
Sako ka bërë një postim në rrjetin e saj social Facebook, shoqëruar edhe me një video ku tregohet se kush fshihet pas kandidimit të tij në Durrës.
“Unë nuk jam politikane dhe nuk e kam kuptuar asnjëherë politikën si përballje personash. Për mua politika është ballafaqim vizionesh, programesh, rezultatesh.
Por, duke qenë se Igli Cara merret më shumë me mua, sesa me mamën e tij siç e thotë edhe vetë, dua t’ju them dy fjalë!
Igli Carën unë nuk e njoh, emrin e tij e kam dëgjuar dikur si njeri që shiste vende pune kur PD-ja ishte në pushtet. Por për këtë nuk kam asnjë provë. Ndërsa prova se Igli Cara është vetë një politikan i vjetër, i cili i shitet padronit të radhës, nuk meriton të merret seriozisht, është para syve të gjithë durrsakëve. Deri dje ai ishte marioneta e Lul Bashës, sot ai është marioneta e Sali Nongratës dhe Ilir Floririt, të cilët s’kanë asnjë lidhje me të ardhmen e Durrësit. Ata e kanë hedhur Igli Carën në fushë për t’u hedhur hi syve të durrsakëve dhe për ta marrë Durrësin peng. Për të marrë peng Portin e ri Turistik, Portin e ri tregtar në Porto Romano, hekurudhën e re Durrës-Tiranë dhe vetë të ardhmen e Durrësit që sot me mbështetjen e Kryeministrit dhe deputetit tonë Edi Rama, ka hyrë në një kapitull historik transformimi ekonomik, urban dhe social.
Igli Cara ka gabuar rëndë që u ka dhënë dy individëve më problematikë në Shqipëri, fytyrën dhe emrin e tij, por Durrësi nuk ka më asnjë shans për t’i dhënë padronëve të Igli Carës!
Prandaj i dashur Igli, në 14 maj ti do të kthehesh tek mama në pritje për padronin e rradhës, ndërsa unë do vazhdoj punën me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
Bashkia e Durrësit është e durrsakëve që duan të shkojnë vetë përpara dhe kurrë s’do të jetë më e nongratave dhe e kukullave si puna jote, që me Durrësin i lidhin vetem hallet dhe interesat personale!”- tha ajo.