Napoli festoi pas 33 vitesh titullin e tretë në histori teksa festa në qytet ishte e papërmbajtshme. Flakadanë, fishekzjarre dhe shumë këngë të cilat e shndërruan qytetin jugor në kryeqendrën e Italisë për disa ditë. Të dielën, në stadiumin Maradona, tifozët patën mundësinë të festonin nga pranë me lojtarët titullin teksa në startin e sfidës ndaj Fiorentinës, impianti ishte mbushur me flamuj dhe me disa koreografi speciale.

Ajo që ra më shumë në sy ishte titulli që në Itali njihet si “Scudetto” i kthyer me kokën poshtë. Një gjest që zgjoi kuriozitetin e shumë personave dhe që ka marrë përgjigje së fundmi. Gjithçka nis nga historia dhe më saktë nga luftërat e hershme, teksa në momentin që fitohej një simbol apo një vepër nga ushtria kundërshtare, ai kthehej me kokën poshtë.

Ashtu siç ndodh edhe me ndonjë baner kur bie në duart e tifozerisë kundërshtare. Këtë herë tifozët e Napolit synuan që me anë të “Scudettos” kokëposhtë të theksonin se ata nuk e kanë problem që shpeshherë nuk konsiderohen si pjesë e Italisë. Madje, ata ju gëzuan një titulli që sipas simbolikës së tyre e fituan në një territor kundërshtar si kundërshtar. Kështu, edhe në festë, tifozët e Napolit nuk qëndrojnë pa polemizuar ndërsa e gjejnë gjithmonë një mënyrë për të marrë vëmendje.