Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin turk, Recep Tayyp Erdogan në zgjedhjet presidenciale që Turqia mban në 14 maj. Nëpërmjet një video-mesazhi Rama shprehu konsideratë për vizionin dhe punën e presidentit turk, Erdogan për transformimin e Turqisë në një fuqi të madhe.

“Turqia është përpara një zgjedhjeje me rëndësi të madhe, jo vetëm për kombin dhe popullin turk, po edhe për Ballkanin dhe Europën. Eshtë padiskutim detyra e qytetarëve të Republikës së Turqisë të zgjedhin liderin dhe qeverinë që duan.

Askush nuk mund dhe nuk di ta bëjë këtë më mirë se ata. Por në respekt të secilit e të secilës prej tyre, unë dua të shpreh konsideratën më të lartë për Presidentin Erdogan, vizioni, kurajoja, vullneti dhe puna e palodhur e të cilit, e ktheu në sytë e krejt botës Turqinë në shembullin e një transformimi fantastik.

Fuqizimi shembullor i Turqisë dhe krijimi i një vetëdijeje të re, tek forca e kombit dhe e shtetit turk, nuk sollën vetëm plot të mira për Turqinë e për popullin e saj, po krijuan edhe vështirësi të mëdha,l dhe kundërshti të forta, të cilat kulmuan me vënien deri në pikëpyetje të integritetit të institucioneve legjitime të Turqisë, madje edhe të vetës jetës së Presidentit Erdogan”-thotë Rama.