Nga Gjon Ndrejaj/
A ju kujtohet ajo përralla e kahershme për Shllafarinë, ishullin e bollëkut, ku gjithë vitin atje bridhnin udhëve derrkucë të pjekur me nga një thikë e pirunë të ngulur në kofshë dhe një pjatë ari të varur në bisht, ku mjafton vetëm të zgjatësh dorën për t’i provuar e shijuar. Në qiellin e Shllafarisë fluturojnë rosa, pata, mëllenja, thëllëza e fazanë të pjekur. Atje s’ka gurë e shkëmbej sepse vendin e tyre e kanë zënë rrotat e djathit kaçkavall dhe të djathit të bardhë fetë. Këto male me djathë, janë të mbuluara me pilaf, dhe poshtë rrjedhin lumenj me mjaltë, dhe pemët prodhojnë kremviçe dhe salçiçe. Në të dy anët e rrugës janë ngritur gjerdhe me mure petullash dhe sheshet janë të mbushura me ëmbëlsira (afërsisht si ajo torta e pavarësisë…) Nga burimet ujore, në Shllafari nuk rrjedh ujë por aty gurgullon verë, ndërsa në disa të tjera rrjedh wisky qelibar.
Akulloret, kanë mbushur gropat e maleve në vend të dëborës, ndërsa çokollatat ngjajnë si mure me tulla dhe mjafton vetëm dëshira për të provuar shumëllojshmërinë e tyre. Në vend të gjetheve, pemët rritin kartëmonedha e mund t’i mbledhësh duke i shkundur por shumë prej tyre kalben përtokë sepse njerëzit përtojnë t’i mbledhin, pasi nuk kanë nevojë për to.
Kjo ishte pak a shumë jeta në Shllafarinë e përrallës.
Dhe tani versioni më i ri i kësaj përralle na vjen nga Belo, kandidati për Kryetar Bashkie në Tiranë si përfaqësues i “Foltores”. Në Tiranë ose në Shllafarinë e Belos, njerëzit nuk do të ecin me këmbë por do të udhëtojnë me autobuza falas. Kjo do të thotë se të gjithë qytetarët e këtij “ishulli” nuk do të paguajnë për transportin urban dhe jo vetëm qytetarët por edhe fshatarët që banojnë në këtë ishull. Dhe këtë Belo e konsideron si dhuratë të tijën për 200.000 banorët e ishullit, që çdo ditë përdorin autobus. Kjo, siç thotë Belo bëhet për të vendosur drejtësinë sociale…. Po përveç se kjo është një aventurë e pa mbështetur në asnjë studim, kurrsesi nuk mund të jetë drejtësi sociale. Paratë për të financuar transportin publik falas, Belo nuk do t’i nxjerrë nga xhepi por nga taksat tona. Disa qytetarë për shumë arsye nuk e përdorin transportin publik, ndërkohë që të tjerë e përdorin me shumicë, Kësisoj nuk do të përfitojnë nga ky shërbim disa prej atyre që paguajnë taksa dhe “drejtësia sociale” këtu mbetet vetëm një slogan. Belo është përfaqësues i të “djathtës konservatore” ose më së paku kështu e prezanton veten por shërbimet publike falas janë një element i forcave politike të majta por kjo me sa duket nuk e shqetëson Belon, mjafton të fitojë ndonjë votë…