Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësit republikanë ishin afër një marrëveshjeje të enjten në mbrëmje për të rritur tavanin e borxhit për dy vjet, duke kufizuar gjithashtu shpenzimet federale për të gjithë, përveç atyre për ushtrinë dhe veteranët. Nëse marrëveshja arrihet dhe miratohet, do të rriste tavanin e huamarrjes së qeverisë për dy vjet deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Sipas gazetës The New York Times, që raportoi e para për këtë çështje, kompromisi do t’i lejonte demokratët të thonë se i kursyen shumicën e programeve vendase nga shkurtimet e mëdha dhe republikanët të thonë se shkurtuan disa shpenzime federale. Sipas gazetës negociatorët kishin filluar të hartonin tekstin legjislativ. “Kemi biseduar me Shtëpinë e Bardhë gjatë gjithë ditës… dhe nuk është e lehtë”, u tha gazetarëve kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy teksa po largohej nga Kapitoli të enjten në mbrëmje. “Duhet pak kohë dhe ne po punojmë shumë për ta arritur atë”.
Më herët të enjten, presidenti Joe Biden tha se negociatat me ligjvënësit republikanë për të rritur tavanin e borxhit të qeverisë amerikane dhe për të vendosur nivelet e shpenzimeve në të ardhmen po shkonin mirë, ndërsa siguroi amerikanët se vendi nuk do të dështojë të përmbushë detyrimin e tij për të paguar faturat.
Negociatorët e Shtëpisë së Bardhë vazhduan të bisedojnë me përfaqësuesit e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy për të zgjidhur hollësitë e fundit të një marrëveshjeje, por asnjë marrëveshje nuk u njoftua pasi ligjvënësit filluan të largoheshin nga Uashingtoni përpara fundjavës së Ditës Përkujtimore.
Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët nuk planifikon të kthehet në punë deri të martën, vetëm dy ditë përpara 1 qershorit, datë kur Sekretarja e Thesarit Janet Yellen thotë se qeverisë mund t’i mbarojë paratë e gatshme për të përmbushur detyrimet e saj nëse tavani ekzistues i borxhit prej 31.4 trilion dollarësh nuk rritet. Si Dhoma e Përfaqësuesve ashtu edhe Senati duhet të miratojnë rritjen e tavanit të borxhit përpara se presidenti Biden ta nënshkruajë ligjin.