Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor kanë firmosur marrëveshjen për futjen e sigurisë rrugore si kurrikul në arsimin parauniversitar. Këto dy institucione do të punojnë së bashku për hartimin dhe zbatimin e unifikuar të kurrikulës së re të edukimit për sigurinë rrugore. Kjo marrëveshje e re synon të zhvillojë tek nxënësit njohuritë për sigurinë rrugore, por edhe aftësitë praktike. Nga ana tjetër synon të trajnojë mësuesit për t’a përcjellë sa më mirë këtë kurrikul të re tek nxënësit.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi thotë se kjo kurrikul është e nevojshme në mënyrë që nxënësit të edukohen për sigurinë rrugore. Ajo shpjegoi se siguria rrugore do të futet si një kapitull më vete në lëndën e Qytetarisë, ku nxënësit përveç njohurive teorike, do të zhvillojnë edhe praktikë.
Marrëveshja vjen pas zhvillimit të disa orëve edukative në disa shkolla të vendit me kënde të lëvizshme për të stimuluar situata, për t’i edukuar dhe aftësuar nxënësit për sigurinë rrugore. Kushi u shpreh se pavarësisht se orët edukative kanë qenë në shumë shkolla të vendit, me mbi 2 mijë nxënës, kaq është e pamjaftueshme.
“Është më se e nevojshme, madje e domosdoshme që ne tashmë të kemi një kurrikul të re, tekste të reja të certifikuara ku nxënësit të marrin të gjitha njohuritë e duhura për sigurinë rrugore, madje edhe për sigurinë publike,” – shprehet ministrja.
“Jemi dëshmitarë të aksidenteve, shpeshherë dhe fatale, shpeshherë ku përfshihen edhe fëmijë të vegjël që janë të shkaktuara pikërisht për shkak të një pakujdesie të vogël, për shkak të një mungese të njohurive apo të aftësive praktike edhe tek drejtuesit e automjetit por edhe tek këmbësorët apo ata që pedalojnë. Prandaj do të bëjmë gjithçka që të hartojmë kurrikulën në një kohë sa më të shpejtë me ekspertë të fushës, po kështu të përgatisim tekste që gjithashtu të jenë të unifikuara në të gjitha shkollat. Dhe theksoj që kjo kurrikul e re do të jetë një kapitull në lëndën e qytetarisë për të gjithë arsimin parauniversitar, në të gjitha klasat, si tek nxënësit e vegjël, ashtu dhe tek adoleshentët dhe moshat më të rritura,” – nënvizoi znj. Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se kjo është një kurrikul e re që kërkon angazhimin e përbashkët për ta zbatuar siç duhet.