Kanë nisur festimet në Dibër, pasi kandidati socialist Rahim Spahiu ka fituar bindshëm, duke lënë pas me një diferencë galopante prej 10 mijë votash kandidatin e “Bashkë Fitojmë” Ismail Ukën.
Ministrja Belinda Balluku, e cila është drejtuesja politike e qarkut Dibër ka falenderuar të gjithë qytetarët që kanë besuar te socialistët. Ajo ka theksuar se kanë shënuar objektivin e tyre ‘4 me 0’ për qarkun e Dibrës, pasi të katërta bashkitë u fituan nga socialistët.
“Ne e kemi deklaruar praktikisht ky ka qene dhe objektivi ynë. Zakonisht Partia Socialiste, objektivat i realizon dhe qarku i Dibrës meriton që të ketë vëmendjen totale të Partisë Socialiste dhe të qeverisë shqiptare. Ndërkohë, gjej rastin që të falenderoj këtu nga Dibra, pasi në qytetet e tjera e kemi bërë të gjithë skuadrën e Partisë Socialiste, por jo vetëm, pasi këto vota me ketë diferencë nuk është vetëm e PS. Sot në Dibër janë bashkuar të majtë dhe të djathtë, janë bashkuar të gjithë ata qytetarë që besojnë se Spahiu është ai që do ta bëj Dibrën më të mirë”, tha Balluku.