Nga Mero Baze/
Edhe në këtë fushatë elektorale dy rastet e para të blerjes së votës apo kërcënimit me dhunë për të mos votuar I përkasin ish LSI, e cila tani udhëheq zyrtarisht koalicionin opozitar. Dy persona tek zona e freskut në Tiranë negociojnë hapur me zë të lartë në kafene blerje votash, ndërsa në Memaliaj kandidati I Ilir Metës shoqërohet në prani të Tritan Shehut nga “të fortë” të zonës që kërcënojnë njerëz me mos marrje pjesë në votime. Këto janë vetëm dy raste të denoncuara në polici ndërsa pas tyre fshihet gjithë metodologjia e fushatës së kësaj partie që historikisht e ka bazuar rezultatin tek krimi dhe blerja e votës. Sikur të mos mjaftonte kjo gjë, Ilir Meta është politikani që flet më shumë se të tjerët kundër blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve. E bën këtë çdo ditë pa pik turpi, ndërsa në terren ka lëshuar gjithë banditët dhe blerësit e votës me pare në dorë.
Në historinë e politikës shqiptare fatkeqësisht partitë që kanë futur kulturën e blerjes së votës janë partitë që synojnë të jenë faktor duke u rritur përmes blerjes së votës. Dy partitë e mëdha Partia Socialiste dhe Ish Partia Demokratike, nuk është se kanë shpëtuar nga kjo sëmundje, por në tërësi kandidatët e tyre fokusohen tek mbështetja elektorale se kanë pas parti të mëdha. Ata mund të përdorin sipas rastit privilegjet e pushtetit apo emrin e partisë, dhe shumë herë më pak blerjen e votës. LSI ka qenë dhe mbetet partia emblematike e blerjes së votave. Në çdo zgjedhje ka gjithnjë histori të tilla që lidhen vetëm me të. Edhe në zgjedhjet e shkuara më 2021, militantë të kësaj partie janë dënuar blerje votash apo deformim të rezultatit elektoral.
Duke ju rikthyer dhe një herë faktit që pse Ilir Meta është I vetmi që flet çdo ditë kundër blerjes së votës dhe përdorimit të krimit në fushatë, duke I bërë të dyja më shumë se kushdo tjetër, I vetmi shpjegim është se ai nuk do të humbas ekskluzivitetin në këtë pikë. Të gjithë mendojnë se ai ka vërtet shqetësim se nuk do të blihen vota apo të përdoren kriminelë, por në fakt me sa duket, ai do që askush përveç tij mos ta bëj këtë punë.
Dhe nuk ka faj është një shpikje origjinale e tij prej vitit 2001, kur shkatërroi procesin zgjedhor me pare dhe bandit dhe nuk do t’ia marrë kush ekskluzivitetin e kësaj shpikje.