Përfaqësuesit e shteteve të Quint-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në takim, tha se “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.

“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin. Një qasje e tillë, shtoi Hovenier, do të duhej të aplikohej edhe për punën e tyre.

Ai nuk pranoi të thotë nëse Kurti e ka pranuar këtë rekomandim ose jo.