Gjatë takimit me banorët e Njësive 5, 10 dhe 13 në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj renditi disa nga investimet e bëra në këto zona, të cilat jo vetëm kanë rritur vlerën e pronës, por janë kthyer në destinacion për qytetarët dhe turistët.

“Siç transformuam Kopshtin Zoologjik, ashtu do të transformojmë edhe Kopshtin Botanik; siç transformuam rrugën e Durrësit, ashtu do transformojmë Bulevardin e Ri, ku do të kemi Polin e Drejtësisë, me ndërtesat e Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë, Muzeun e Artit Modern, Sallën e re të Panaireve, Konventave dhe Koncerteve etj”, tha ai.

Për ata që bëjnë kritika për çdo punë që bëhet në Tiranë, Veliaj tha: “Të tjerët, edhe pse nuk kanë treguar asnjë shembull qyteti se si punohet, kanë kritika për Tiranën dhe thonë: ‘Po, është ky Liqeni, por shiko, ka një ndërtesë atje! Intercontinental. Shiko edhe një ndërtesë tjetër! Marriott. Ne nuk mundet që edhe t’i japim gaz, edhe të ecim me frena dore njekohësisht. Nëse do të duhet të rritemi, duhet të kemi shtretër për ata që vijnë si turistë në Tiranë. Turizmi sot prodhon ekonomi. Nëse na duhen hapësira dixhitale, duhet patjetër të hapim Piramidën javën e ardhshme, si qendra më e madhe e kodimit për punët e së ardhmes. Kritikët i vlerësojmë, por pyetja është: Nëse transporti mund të bëhet falas, mendoni që ne s’duam ta bëjmë? Ndërkohë që, kemi bërë 99 punë? Po pse nuk e bëni në Shkodër? Nuk e bëjnë se nuk bëhet, se nuk ka leverdi, sepse në vend që të shtohet numri i njerëzve që hipin në autobus dhe lirojnë trafikun, në fakt hipin edhe pasagjerët që nuk ka nevojë të përdorin autobusin për një stacion, kurse ata që e përdornin për punë shtojnë makinat”.