Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar votëbesimin e qytetarëve të Tiranës për një tjetër mandat për të vijuar me punët e mira të bëra në kryeqytet. Në një intervistë për ABC News, Veliaj renditi projektet kryesore të transformimit të kryeqytetit.

“Unë do u kërkoj të gjithë qytetarëve të Tiranës që të na japin besimin për të çuar deri në fund projektin e nisur. Ne mbrëmë hapëm Piramidën e Tiranës, do jetë qendra më e madhe e teknologjisë. I ftoj të gjithë ta vizitojnë këtë fundjave. Ne do të hapemi në shtator, kur të fillojnë edhe kurset sepse ato ruajnë bioritmin e sistemit tonë arsimor. Ne do të vazhdojmë tek stadiumi, derisa të mbarojnë kurset në maj dhe shtatorin do e fillojmë tek Piramida. Tek Bulevardi i ri kemi një shans historik që na vjen një herë në 100 vite, që ne të zgjasim shtyllën kurrizore të Tiranës dhe aty të shohim Bashkinë e re, Gjykatat, Prokurorinë, Pallatin e Ri të Kongreseve, Muzeun e Artit Modern”, tha ai.

Veliaj u ndal dhe tek njësia 5 dhe 13. Ai nënvizoi se pas Kopshtit Zoologjik, do të vijojë puna dhe për Kopshtin Botanik, ndërsa u ndal dhe te Zona e Lirë Ekonomike në Kryeqytet. “Duam të vazhdojmë me Kopshtin Botanik dhe siç treguam që dimë të bëjmë si menaxherë publikë tregun agro-ushqimor, duam të bëjmë si menaxherë publikë edhe zonën e lirë ekonomike të Kashar-Kombinatit, kur tashmë kemi rreth 100 klientë që kanë treguar interes, kryesisht kompani që punojnë me teknologji të reja, dixhitale, automotivë, data-center dhe unë besoj se këto janë punët e së ardhmes. Duam të mbarojmë disa projekte të rëndësishme të infrastrukturës siç janë 7 lotet e Unazës. Unë edhe sot verifikova në Kamzë, është duke u punuar edhe këtë fundjavë, ka apo jo fushatë. Unë edhe katër kolegët e tjerë. Ne do vazhdojmë të shtrojmë asfalt, edhe të hënën, edhe të martën edhe të mërkurën, do vazhdojmë prapë me pemët, me që kemi këtë shi dhe këtë bereqet. Qytetarët kanë një garanci që puna nuk do ndalet në asnjë moment dhe ne do ndjekim edhe punët që i bëjmë bashkë me qeverinë dhe ato që ekskluzive të Bashkisë”, deklaroi Veliaj.

Pas 40 shkollave të reja deri më tani, Veliaj nënvizon se këtë mandate të ri do të përfundojë dhe loti I ri I shkollave. “Ne dua të bëjmë 5 shkollat e reja tek Astiri, dy tek Liqeni i Thatë dhe 2 në Sauk dhe mbi të gjitha duam që Tiranës të vazhdojë t’i rritet vlera e pronës dhe të jetë një qyet evropian. Fakti që vitin e kaluar ishte kryeqyteti evropian i Rinisë, këtë vit qyteti evropian i Sportit, vitin tjetër është Presidenca e B-40, rrjetit më të madh të qyteteve të Evropës Juglindore e ka vënë Tiranën në hartë. Parashikimi ynë është që ne do shkojmë nga 4.5 milionë turistë në 6 milionë”, shtoi më tej Veliaj.