Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte këtë të shtunë në emisionin “Kjo Javë” në Neës 24, ku foli mbi investimet e bëra gjatë 4 viteve në kryeqytet. Ai siguroi se angazhimi i tij në mandatin tjetër do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në çdo lagje, deri në shtëpinë më të fundit të Tiranës.
“Ky do të jetë mandati kur ne duhet të shkojmë në nivel kapilar. Pak a shumë si një pemë: pema ka rrënjët, ka trungun, ka degët, dhe pastaj sigurisht ka edhe gjethet. Qyteti ka akset kryesore, ku kemi punuar – projekti im i parë ka qenë rruga “Ali Demi” dhe “Ali Shefqeti”, këtu në Shkozë, pastaj Unaza e Vogël dhe Unaza e Madhe, ku kemi bërë gjysmën dhe po punohet në 7 lotet e gjysmës tjetër. Vijuam në rrugën e “Durrësit”, rrugën e “Kavajës”, rrugën e “Elbasanit”, “Hoxha Tahsim”, “Xhanfize Keko”, rrugën e “Dibrës”; pra të gjitha akset e Tiranës janë rehabilituar totalisht. Hapësirat ikonike si sheshi “Skënderbej”, “Pazari i Ri”, “Kalaja”, “Liqeni”, hapësira që kanë qenë absolutisht të nevojshme dhe do shtohen me hapësira të tjera ikonike. Mbaruam muzeun ‘Kadare’, do të hapet muzeu ‘Dritëro Agolli’. Mbaruam “Shtëpinë me Gjethe” dhe BunkArt-in, por do të hapen shumë shpejt Sarajet dhe “Shtëpia e Libohovitëve”, njëri si Muzeu Etnografik i Tiranës dhe tjetri si Muzeu i Historisë së Shqiptarëve, që mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha ai.
Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës do të shkojë gjer në nivel kapilar për të përmirësuar jetën e qytetarëve. “Tani duhet të shkojmë në nivelin kapilar. Një nga pyetjet që kanë pasur njerëzit nga kjo historia e asfaltimeve të rrugëve dhe rrugicave është se kur do të vijnë te rrugica ime. Ky në vetvete është një kompliment. Njerëzit po shohin se tani po mbërrijmë në cepat fundorë dhe shoqërohet me një padurim. Fakti që rruga “Xhon Belushi”, që është një rrugë periferike e Tiranës, lidh Njësinë 4 me Tufinën, pati aq shumë debat, edhe nga kritikët tanë do të thotë që po ndihet që Bashkia e Tiranës po e çon dorën e saj deri në cakun më fundor, aty ku takohet Tirana rurale me Tiranën urbane. Angazhimi për mandatin e tretë është se ne do shkojmë deri te shtëpia dhe adresa e fundit, tani që kemi vënë gjërat kryesore në vijë”, tha Veliaj.