Jemi 12 ditë larg zgjedhjeve vendore, kandidatët për kryebashkiakë kanë vijuar me takimet e tyre me banorët e qyteteve dhe zonave të ndryshme duke shpalosur programet e tyre në kuadër të fushatës elektorale. Retorika politike deri më tani shihet e përqendruar mes liderëve të mazhorancës dhe opozitës të cilët në takimet që bëjnë me qytetarët kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Kandidati për Elbasanin Gledian Llatja zhvilloi një takim me vajza dhe gra të fshatit Papërr, duke kërkuar votën për një mandat të dytë. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Fierin, Edvar Kodheli ka prezantuar planin e tij 4-vjeçar, ku është ndalur në 2 prioritete kryesore.
Socialisti Pjerin Ndreu i cili kërkon një mandat të dytë në bashkinë e Lezhës, iu përgjigj ashpër kritikave të kundërshtarit të tij politik në këtë garë. Kandidati opozitar për bashkinë Klos, Bedri Hoxha, akuzoi pushtetin lokal dhe qendror se po mundohen të manipulojnë zgjedhjet e 14 majit. Juliana Mema e cila kërkon një mandat të tretë në bashkinë Dimal renditi punët e realizuara duke bërë premtime dhe për 4-vjeçarin e ardhshëm.
Nga ana tjetër kandidati demokrat në Dimal paralajmëroi pushime nga puna të personave që marrin pagë fiktive në bashki dhe abuzojnë me vendin e punës. Albert Mëlyshi i dyshes Berisha-Meta gjatë takimit me komunitetin mirditor në Lezhë hodhi akuza ndaj pushtetit lokal aktual dhe qeverisë. Përfaqësuesit e Nismës Thurje që kandidojnë për këshillin bashkiak të Tiranës, gjatë takimit në Kombinat u ndalën te rëndësia e ndryshimit të klasës politike.