Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Gramsh ditën e djeshme ku humbi jetën një 15-vjeçar, ka folur për Top Channel mësuesja e të miturit dhe drejtoresha e shkollës.

E prekur dhe me lot në sy, mësuesja u shpreh se nuk ka pasur probleme të tilla më parë dhe se është një dhimbje e thellë për të gjithë ngjarja e ndodhur.

Drejtoresha e shkollës u shpreh se i ndjeri ishte fëmijë i mrekullueshëm dhe vinte nga një familje e mrekullueshme.

Ajo tha se pak ditë më parë familja e tij kishte tërhequr dokumentet nga shkolla për të emigruar në Greqi.

Ju nuk i njihni fëmijët e përfshirë në konflikt, por a kanë shfaqur ata probleme në shkollë?

Mësuesja: Në shkollën tonë nuk ka pasur probleme, është shumë dhimbje e madhe dhe më kuptoni dhe mua(qan). Nuk kemi parë problematika të arrinin deri në këtë situatë. Kushëriri i viktimës është çamarrok e i lëvizshëm por jo që të krijonte situatë.

Konflikti nisi nga rrjetet sociale, sa problematike janë bërë?

Mësuesja: Rrjetet sociale janë bërë të pakontrollueshme në familje. Në shkollë përpiqemi në çdo kohë t’i vëzhgojmë e mos të marrin telefon me vete.

Drejtoresha: Ishte djalë i mrekullueshëm e vinte nga një familje e mrekullueshme, tejet e përkushtuar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Madje para pak kohësh tërhoqën letrat nga shkolla për të marrë fëmijët e për t’u larguar në Greqi dhe biseda e parë që kam bërë edhe me familjen edhe me kolegët ishte se sa keq më vjen që po na ikin këto fëmijë shembullorë nga shkolla.