Akti horror i vrasjes së vajzës së vet dhe të një shtetasi italian vijon të tronditë të gjithë Italinë. Dy ditëve të fundit grupi hetimor është ndaluar te pamjet filmike të momentit të sulmit nga ana e shqiptarit mbi fqinjin italian dhe vajzën e tij.

Sipas të dhënave që përbëjnë edhe dosjen paraprake hetimore të atij akti të rëndë, tregojnë se edhe vajza e tij është vrarë me bindje vrastare për shkak se Taulant Malaj e ka goditur katër herë. Këto janë fiksuara jo vetëm nga pamjet, por edhe nga mjekët që kanë kryer autopsinë e trupit të pajetë të Jessica-s. Ndërkohë që autori i krimit të rëndë vazhdon të mbrohet me çështjen e tradhtisë bashkëshortore, por do të jenë bisedat telefonike të të gjitha palëve për të mësuar detaje të hollësishme në lidhje me shkakun e atij sulmi fatal që u mori jetën dy personave, plagosi një të tretë dhe u tha se kishte për qëllim edhe vrasjen e djalit të tyre 5 vjeç. Ndonëse Malaj e ka mohuar këtë fakt, të dhënat tregojnë se ai e ka kërkuar nëpër shtëpi dhe jashtë saj. Hetimet vijojnë ndërkohë që është kërkuar edhe një ekspertim mental i autorit, ndonëse nga marrja në pyetje e kolegëve të tij, ata kanë dëshmuar se ai nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme të tilla në ambientet e punës. Gruaja e tij në fakt ka treguar se në fakt nuk është i vërtetë pretendimi i tij për shkak se ai fsheh tjetër gjë në lidhje me atë sulm që u mori jetën 2 personave. Policia dhe grupi hetimor po përpiqen të grumbullojnë prova edhe për sa i përket pretendimit të Tefta Malajt, por ajo ende nuk është marrë në pyetje për shkak të gjendjes shëndetësore dhe tronditjes së rëndë psikike.

MEDIAT ITALIANE

Provat kundër 45-vjeçarit Taulant Malaj, bukëpjekësit shqiptar që vrau vajzën e tij 16-vjeçare Jessica dhe italianin 51-vjeçar Massimo De Santis natën mes së shtunës dhe së dielës së kaluar janë konsoliduar me shikimin e videove të kamerave në shtëpi. Ato kanë filmuar skenat, në të cilat burri godiste vazhdimisht gruan dhe vajzën e tij me një vullnet të qartë vrastar.

Dokumenti zyrtar hetimor, i publikuar nga Ansa, evidenton qartë se sa i përket “vrasjes së Xhesikës së re 16 vjeçe, “e cila me guxim u përpoq në çdo mënyrë dhe deri në fund për të mbrojtur nënën e saj nga agresioni brutal i të atit”, rezulton se “goditjet i janë shkaktuar edhe asaj vullnetarisht, përballë, jo vetëm kur ndërhyri për herë të parë në dhomën e gjumit, por edhe kur agresioni vijoi në sallon”.

Në trupin e Xhesikës, shkruhet në dokumente, “katër plagë me thikë u gjetën në gjoks, në vendin e organeve vitale”.

“Në të njëjtën mënyrë mund të shohim kokëfortësinë, me të cilën ai sulmon gruan e tij duke e befasuar në mes të natës teksa ajo është në shtrat, duke lëshuar plagë të shumta me thikë edhe në pjesën e sipërme të trupit. E gjithë kjo ka ndodhur nën sytë e djalit më të vogël të çiftit”, thuhet në dokument.

Sipas hetuesve ‘metodat brutale të realizimit të fakteve tregojnë tek i dyshuari një pandjeshmëri absolute ndaj jetës njerëzore dhe një prirje të përbashkët për krime si mjet për të vërtetuar bindjet e tij dhe rolin e tij në të gjithë familjen’.

Malaj u ka rrëfyer hetuesve se pasi vrau Massimo de Santis, për të cilin besonte se ishte i dashuri i gruas së tij, kishte hyrë në dhomën e gjumit ‘ku ishte gruaja ime; e godita dhe ndërkohë hyri Xhesika, duke dashur ta mbronte nënën e saj. Kështu që unë godita edhe Xhesikën dhe e vrava. As që e kuptova se ishte ajo. Fatkeqësisht, Xhesika e gjeti veten në kohën e gabuar. Të dy u arratisën nga shtrati në kuzhinë, ku unë vazhdova t’i godisja’.

Malaj përdori një thikë të gjatë 18 cm. Gruaja e vrasësit, Tefta Malaj, e cila i mbijetoi atentatit pasi mbrohej nga Xhesika, ka bërë thirrje për ndihmë. Teksa telefonoi numrin 118, Tefta i përsëriti “thikë”, dhe kur operatori e pyeti nëse ishte goditur me thikë, gruaja mezi mundi të përgjigjej “po” dhe më pas shtoi: “Vajza ime, vajza ime”!