Sezoni turistik 2023 është kthyer në një magnet për turistët e huaj nga Europa që zgjedhin të kalojnë pushimet verore në Shqipëri. Arsyet që zgjedhin vendin tonë janë nga më të ndryshmet, por edhe një sugjerim nga vetë emigrantët shqiptarë i shtyjnë të udhëtojnë dhe zbulojnë më tej.
“Njerëz që njihja në Francë, që ishin shqiptarë, më treguan për shtetin e tyre dhe më sugjeruan të vija këtu. Pasi vizitova Greqinë, vendosa të vizitoja edhe Shqipërinë, pasi janë afër”, thotë Romain Fave, një turist francez.
Ai, së bashku me bashkëshorten Audrey, kanë vendosur ta vizitojnë Shqipërinë për një periudhë 1-mujore. Teksa e tregon dhe libri që mban në duar për Shqipërinë në gjuhën franceze, Romain thotë se kultura që mbart vendi jonë, por dhe bregdeti, janë arsyet që i tërheqin këta turistë të vizitojnë Shqipërinë:
“Erdhëm në Shqipëri sepse duam të zbulojmë kulturën e Shqipërisë, ka një sërë gjërash të bukura që mund të vizitosh. Ju keni edhe një sërë plazhesh të bukura të cilat unë pata mundësi t’i vizitoja me të afërmit e mi. Jam shumë i interesuar për të mësuar për kultura të reja, ushqimet që njerëzit konsumojnë, por edhe si jetojnë”.
Çmimet po ashtu janë një ndikues kryesor. Një rizgjedhje e Shqipërisë si destinacion për pushimet e ardhshme për Romain do të ndodhte nëse do të shpenzonte po njësoj, teksa çmimet i vlerëson më të ulëta se në Francë dhe vendet e tjera europaine.
“Për mua, si një turist francez, çmimet janë më të ulëta këtu në Shqipëri dhe mua kjo gjë më intereson. Mund të them se krahasuar me jetesën time atje, ka një diferencë nga 20-25% të çmimeve. Kjo është edhe një arsye më shumë që do ta vizitoja edhe më tej Shqipërinë, për t’i zbuluar të gjitha qytetet dhe gjërat interesante që ka”, shprehet francezi.
Fluksi i turistëve është shtuar edhe më tej në muajin maj. Sipas INSTAT, me 11,6 % është rritur numri i shtetasve të huaj krahasuar me maj 2022. Rreth 2,2 milionë shtetas të huaj e vizituan Shqipërinë për pushime apo vizitë tek të afërmit ose 41,5% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Më së shumti, turistët vijnë nga Europa Jugore, Perëndimore, por edhe Amerika.