Kryeministri Edi Rama në një konferencë me gazetarët lidhur me situatën në veri të Kosovës, u shpreh se shqetësimi i tij lidhet me tkurrjen dramatike të këtij shteti në sytë e ndërkombëtarëve.

Rama tha se Kosova nuk kërcënohet nga Serbia, pasi kjo e fundit e ka humbur përfundimisht në 1999, dhe se tashmë nuk ka mundësinë as t’i prekë “një fije floku”.

“Nuk kam qenë dhe nuk jam i shqetësuar për atë që shqetësohen të tjerët, por për tkurrjen dramatike të Kosovës në sy të aleatëve dhe për tonet e tyre ultimative, që mund të sjellë pasoja në shumë aspekt. Që nga rritja e trupave në Kosovë, që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës, ose humbje e një mundësie për të integruar plotësisht Veriun në jetën e vet institucionale.

Nuk ka kërcënim për Kosovën, është vetëm në mendjen e politikanëve në Kosovë dhe një mënyrë për të bërë politikë të brendshme duke përdorur hijen e një kërcënimi që nuk ekziston. Serbia e ka humbur Kosovës që në ’99 dhe nuk ka asnjë mundësi t’i prekë asnjë fije floku”, tha ai.

Ndërkohë i pyetur nëse mendon se Albin Kurti rrezikon të shpallet non-grata dhe se a e ka konsultuar propozimin e draftit për asociacionin më parë me të, ai tha: Nuk e kam konsultuar dokumentin me Albin Kurtin… Nuk hyj fare në këto sepse edhe nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë nëse janë apo jo të vërteta sa kohë nuk janë deklarata publike, por janë dokumente që qarkullojnë, të pakonfirmuara por as të mohuara…. Por, nuk është fati i Kurti sot në lojë, por i republikës së Kosovës.