Nga Ben Andoni/
Është e lodhshme, e bezdisshme, por më shumë se kaq e palejueshme që një shtet me problemet e veta aq të mëdha të kthehet në pengesë për të ardhmen e Ballkanit. Kjo po ndodh me Federatën e Bosnje Hercegovinës (BeH-së) prej problemeve të vazhdueshme që po i sjell makthi i Republikës Sërpska (RS-së). E fundit, Asambleja e kësaj Republike kërkon të mos njohë autoritetin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës. Më tepër se kaq, “i plotfuqishmi Dodik” dhe aleatët e tij, jo vetëm nuk duan të respektojnë më autoritetet e ndarjes së pushteteve në federatë, që rrjedhin nga Marrëveshja e Dejtonit, por më shumë se kaq shfaqin edhe sigurinë t’i bëjnë ato.
A na interesojnë vërtetë ato që bëhen në Federatën e Bosnjes dhe Hercegovinës?! Me sa duket: Po. Pas ngjarjeve të Veriut në Kosovë, Zheljka Cvijanoviq anëtarja e presidencës së BeH-së ka gjetur një mënyrë në dukje dytësore për t’ia nxirë jetën Kosovës sa i përket regjimit pa viza, ndikuar prej Procesit të Berlinit. Zyrtarja e SNSD-së e ka quajtur këtë çështje si shkatërruese për interesin jetik të entitetit të Republikës Sërpska!!! Argumenti ka pak ngrohje tashmë dhe nga kundërshtimet që po i vishen ngado në kurriz qeverisë “Kurti”: “regjimi” i kryeministrit të Kosovës, “nuk meriton përfitime”, u shpreh ajo. Procesi i heqjes së vizave për rajonin, këtu flitet për Kosovën sepse rajoni e ka tejkaluar këtë gjëndje, nisi pas nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, nga nëntori i vitit 2022, brenda kuadrit të Procesit të Berlinit. Kjo i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Për fat, tashmë për Kosovën është vendosur që 1 janari i vitit 2024 të jetë momenti, kur qytetarët e saj të lëvizin pa viza në të gjithë kontinentin, një moment aq shumë i pritur për Republikën e re, përballur me aq shumë probleme. Mbi të gjitha prej situatës së dialogut, ku përveç ngurtësisë së vendimeve të kryeministrit Kurti shpesh të padakordësuara me faktorin ndërkombëtar (madje edhe kjo e fundit të shpalljes si organizata terroriste të dy organizimeve), kemi përballë një Serbi, që e nguc shpesh Veriun, aq jetik në Kosovë në problematika. Duke ditur lidhjet historike të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, shumëkush e kupton se bllokimi i heqjes së regjimit të vizave, i cili prej vitesh i ka rënduar banorët e të dyja vendeve, është një akt tejet i njëanshëm nga boshnjakët serbë. Ndërkohë dy etnitë e tjera, me autoritetet e tyre, janë dakordësuar dhe nuk kanë nxjerrë probleme me ratifikimin. Paradoksalisht, politikanët nga Republika Sërpska e refuzojnë ratifikimin, edhe pse ish-kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, i cili është anëtar i partisë së Dodikut, ishte një prej nënshkruesve të atij dokumenti në Berlin, pak muaj më parë. Por, Kosova është vetëm një aspekt i trazirave që mund të sjellë Bosnja, pasi tashmë Asambleja e Republikës Serbska po shkon shumë më tej: Ata po refuzojnë strukturat e ndarjes së pushtetit që ekzistojnë në Bosnje.
Këto ndarje të pushtetit janë përcaktuar në Marrëveshjen e Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje. Kujtojmë se marrëveshja e arritur më 1995 i kanë ndarë funksionet qeveritare, administrative dhe funksionet e tjera përmes vijave etnike mes shumicës boshnjake, serbe dhe kroate. Kuptohet se procesi i bllokimit është ende me mbështetjen e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Republikës Sërpska, duhet të kalojë në Dhomën e Lartë dhe miratimin e nivelit presidencial në këtë entitet. Dihet, po ashtu se: përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, po ashtu mund të anulojë legjislacionin, për të ofruar funksionim të institucioneve civile të BeH-së. Në mënyrë të përmbledhur, BE-ja duket në prag të falimentit në Ballkan, për shkak të frymës serbe, në dukje RS-së që po e “shkelin frymën e kushtetutës së shtetit dhe Marrëveshjes së Paqes së vitit 1995”, sipas autoriteteve.
Ne na intereson Kosova dhe kur shikon problematikat e saj, kupton se është Bosnja ajo që po i vë dërrmën një procesi paqtimi, që u ngjiz me vështirësi në Dejton, që mori frymë tjetër me fundin e Luftës dhe pavarësinë e Kosovës, por që nuk po gjen dot jetë pa demokratizimin e Serbisë dhe derivatit të saj: Republikës Srpska. Evropa duhet të shikojë se Kosova veç gabimeve të saj, po mbrohet para të pamundshmes, që vjen nga shikimi i faktorit të huaj, por edhe relativizimit të faktorit serb.