Nga Desada Metaj

Kur një lider politik, në prag të zgjedhjeve brenda partisë së tij, nuk merret me programin, me vizionin apo me bindjen e anëtarëve, por fokusohet ekskluzivisht në eliminimin e kundërshtarëve, kjo nuk është shenjë force — është simptomë e një dobësie të thellë. Sali Berisha, në muajt e fundit, para “rizgjedhjes” ka ndjekur me një sistematizëm të ftohtë një strategji të vetme:vetëpërjashtimin e atyre që nuk i binden, përjashtimin e drejtpërdrejtë të të tjerëve, organizimin e protestave pa synim real politik — thjesht për të mpirë demokratët dhe për t’i mbajtur larg çdo guximi për të thënë të vërtetën e hidhur për të — dhe, si përfundim i gjithë kësaj, ecjen drejt një gare pa kundërshtar. Një arkitekturë e pastër frike dhe jo fitoreje.

Megjithatë, rizgjedhja e Berishës nuk do të jetë aq e qetë sa mund të duket në sipërfaqe. Ekziston një pengesë juridike, e cila — pavarësisht se injorohet me vetëdije — nuk zhduket vetëm sepse nuk përmendet. Në statutin e PD-së, i hartuar, me një ironi të plotë, nga vetë Berisha, ekziston një dispozitë (neni 46 i statutit) e njohur zakonisht si “neni Basha”, por që sot i rikthehet autorit të saj si bumerang. Formulimi është i qartë dhe pa ekuivok: kush humb zgjedhjet, largohet automatikisht nga detyra dhe nuk mund të kandidojë më. Nuk parashikohet asnjë procedurë ankimimi, asnjë hapësirë interpretimi, asnjë mundësi shmnagie. Është një verdikt pa apel.

Dhe pikërisht këtu historia merr një kthesë ironike, nga ato që vetëm koha di t’ua rezervojë atyre që besojnë se janë mbi rregullat. Vetë Berisha, në vitin 2013, kishte deklaruar me solemnitet: “mon départ est sans retour”. Ikja ime është pa kthim. Në atë kohë ishte një frazë retorike, sepse largimi varej nga vullneti i tij dhe ai e dinte këtë. Sot, me statutin që ai vetë ka hartuar, ajo frazë është shndërruar në normë juridike. Kthimi apo mosrikthimi nuk është më çështje vullneti por është çështje zbatimi të rregullave. Edhe kur rregullat shpërfillen, ato vazhdojnë të ekzistojnë dhe të prodhojnë pasoja: ligjore, politike dhe morale.

Akti i parë tashmë është vënë në lëvizje. Kandidatja Alesia Balliu ka depozituar një kërkesë formale, të thjeshtë dhe pa ndërlikime të panevojshme teknike: zbatimin e statutit. Konkretisht, konstatimin e faktit se Berisha nuk është kryetar i PD-së të paktën që nga data 4 shtator 2025 — dita kur KQZ certifikoi zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, ku Berisha rezultoi humbës si asnjëherë tjetër në 35 vite karrierë politike.

Është e rëndësishme të theksohet natyra e kësaj nisme juridike. Ndryshe nga Berisha i dikurshëm në luftën me Bashën — i cili, sa herë ndjehej i kërcënuar, i drejtohej menjëherë gjykatës, pa pyetur për institucionet e brendshme të partisë, duke vënë në lëvizje gjithë aparatin e tij juridik dhe të famshmin “Zhukri” si instrument presioni — Balliu po ndjek me përpikëri rrugët e brendshme statutore. Pa zhurmë, pa spektakël, pa kërkim audience. Me këmbëngulje të lavdërueshme që do ia kishte zili dhe vetë Berisha. Kërkon thjesht zbatim të rregullave ashtu siç janë shkruar. Në vetvete, pavarësisht rezultatit, ky akt përbën një leksion të parë dhe simbolikisht të fuqishëm kundër Berishës: rregullat dhe institucionet, edhe në parti, respektohen, para se t’i drejtohesh gjykatës.

Megjithatë, realiteti i brendshëm i PD-së nuk lë shumë hapësirë për optimizëm naiv. Kërkesa e Balliut, me shumë gjasë, ka rënë në vesh të shurdhër. Ndoshta është hedhur në kosh që ditën e parë, si një dokument që më mirë të mos preket fare. Mëkëmbësi i Berishës, Flamur Noka, vështirë se mund të përfytyrohet si rojtar i statutit. Dhe kjo nuk është për t’u habitur: në një parti ku institucionet ekzistojnë formalisht, dhe funksionojnë si dekor, ku rregullat shkruhen për t’u shkelur fare pa elegance, pritshmëria për zbatim vullnetar është, në rastin më të mirë, një formë naiviteti. Kryesia e partisë, nga ana e saj, nuk duket se do marrë peshën e përgjegjësisë që i takon. Ajo është e përbërë nga dy grupime. I pari përfaqëson oportunistët që iu bashkuan vonë Berishës, që nënqeshin hidhur me vuajtjet e demokratëve dhe ndaj këtyre situatave groteske në pritje që partia të bjerë ne duart e tyre pas ikjes natyrale të Berishës. Grupi i dytë janë besnikët e palëkundur të orës së parë, të cilët janë shndërruar ndër vite — me vetëdije ose jo — në eunukë politikë. Mund të ndjejnë se diçka nuk shkon, madje mund ta dinë, por nuk kanë as kapacitetin intelektual dhe as guximin për t’ia thënë liderit të tyre, situatën deri dhe qesharake ku po zhytet kapiteni dhe anija e tyre me flamuj te rreckosur.

Të jemi të qartë. Zgjedhjet e paracaktuara do të zhvillohen.Dhe Berisha do rizgjidhet për të disatën herë në krye të asaj partie gjithnjë edhe më e rrudhur. Me gjasë në shkelje të hapur të statutit, pa kundërshtar real, me gjithë aparatin e brendshëm të mobilizuar në funksion të rezultatit të dëshiruar, që do jetë diku te 90% të pjesëmarrjes. Berisha sërish do të premtojë betejën finale për të rrëzuar “regjimin” e Ramës — një premtim i përsëritur çdo vit gjatë katër viteve të fundit, me të njëjtin intensitet dhe me të njëjtin rezultat: zero. Kësaj radhe edhe me xhufkë.

Sigurisht ndoshta ndonjë nga kuadrot rreth tij — ai tip njeriu që “njeh” statutin dhe ligjet, duke e konsideruar njohjen si privilegj personal — mund t’i sugjerojë në vesh Berishës mënyrën për të shmangur pengesën formale të Balliut dhe mbështetësve të saj. Zgjidhja është e njohur: një votë e Këshillit Kombëtar, pa pyetur anëtarësinë, për të ndryshuar statutin dhe hequr qafe “nenin Basha”. Vetë ky mekanizëm tregon nivelin e thellë të centralizimit dhe deformimit institucional. Por edhe nëse zbatohet, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do ta thellojë absurditetin dhe groteskun — duke ndryshuar rregullat për të mbuluar shkeljen e rregullave.

Pavarësisht gjithçkaje, ekziston një dimension që nuk duhet humbur nga vëmendja. Kushdo që guxoi të kandidojë dhe u përjashtua, u vetëpërjashtua apo u shpall i padëshirueshëm, e ka fituar tashmë betejën e vet me Berishën — jo betejën zgjedhore, por atë simbolike dhe politike, e cila ka një peshë shumë më të madhe.

Ata kanë nxjerrë në pah diçka që shumëkush e dinte, pak e artikulonin dhe askush nuk e dokumentonte kaq qartë përmes sjelljes publike: ky “burrë i fortë politik”, ky “luftëtar i paepur”, ky njeri i “betejave legjendare”, që ka mbajtur Shqipërinë në tension në momente historike, ky politikan që ka dominuar jetën politike për gjysmë shekulli — në thelb rezulton thjesht një frikacak i vogël. E gjithë forca e tij, gjithë legjenda e ndërtuar ndër dekada, buron nga një akt i vetëm, i përsëritur pa pushim: mbajtja me çdo kusht e një karrigeje në krye të PD-së, duke u ushqyer vazhdimisht me aspiratat, shpresat dhe kontributin e mijëra demokratëve të sinqertë, të cilët kanë paguar me koston e jetës së tyre politike besimin e dhënë gabimisht. Një ndëshkim më i madh, në pleqërinë e tij politike, vështirë se mund të imagjinohej.

Dhe megjithatë, edhe në këtë situatë, rruga gjyqësore mbetet e hapur dhe meriton të ndiqet — qoftë edhe si një betejë idesh dhe parimesh, përtej rezultatit praktik.

Sepse vlera e kësaj rruge shkon përtej çështjes teknike se kush do të jetë kryetari i radhës apo nëse zgjedhjet do të zhvillohen sipas rregullave statutore. Beteja e vërtetë — ajo me peshë historike dhe politike — është kjo: a do ta marrë Berisha me vete në varrin e tij politik PD-në, apo partia do të arrijë të mbijetojë përtej tij?

Rruga gjyqësore nuk është e vetmja zgjidhje. Por është, ndoshta, një nga mundësitë e fundit për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, përpara se historia ta japë vetë përgjigjen, me brutalitetin e saj të zakonshëm.