Presidenti Bajram Begaj ka qenë i pranishëm në forumin e Prespës për dialogun mes vendeve të rajonit të mbajtur sot në Strugë të Maqedonisë së Veriut. Duke folur për situatën e krijuar së fundmi me tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, Begaj tha se dakordësia e arritur në Ohër mes tyre në 18 mars, po shndërrohej në një moment zhgënjimi. Ai bëri thirrje që Vuçiç dhe Kurti të marrin përgjegjësitë dhe të çojnë përpara procesin e pajtimit mes dy vendeve që drejtojnë.
“Dakordësia e fundit publike e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një moment tjetër optimizmi, por që shumë shpejt duket sikur po shndërrohet në një moment zhgënjimi. Nuk dua të hyj këtu në detaje, pasi partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke. Askush nuk mund të verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm! Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërrmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut e Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre”- nënvizoi presidenti.
Teksa foli për mundësitë e bashkëpunimit më të ngushtë mes vendeve të rajonit, Begaj theksoi se sfidat për stabilitetin e rajonit janë shtuar së fundmi por shtoi se duhet të bëhet gjithçka për dështimin e planit të atyre që kanë qëllim rikthimin e konflikteve në Ballkan.
“Konstatojmë me keqardhje se në vitet e fundit për shkak të rritjes së aktorëve të tretë në rajonin tonë, gjithnjë e më shumë po zë vend mëdyshja, demokraci apo stabilitet. Sfidat e reja janë më komplekse, nënvizoj të theksoj se sot marrin më shumë vlerë se kurrë qeverisja demokratike. Ata që synojnë kthimin e rajonit në të shkuarën konfliktuale, duhet të bëjmë që të dështojnë. Ballkani ka mundësi reale të krijojë energji pozitive. Ka një kontribut dhe eksperiencë për të ndarë. Kësisoj konfliktet tona mund të bëhen mësimet tona”-tha Begaj.