Benet Beci është betuar sot para këshillit bashkiak si kryetar i bashkisë së Shkodrës. Beci fitoi me një rezultat të thellë në zgjedhjet e 14 majit përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia. Pas betimit, Beci tha se besimi që i dhanë qytetarët shkodranë është garanci për sukses.

“Unë sot kam kënaqësinë që të jem zgjedhur nga ju dhe njerëzit që ju përfaqësoni në këtë sallë si qytetar i parë i Shkodrës. Por në fakt do të doja të isha qytetari i parë i Shkodrës por më shumë punëtor dhe shërbëtor i parë i Shkodrës. Do të punoj për të qenë një i tillë. Rruga që do të bëjmë bashkë ka vështirësi, por tani është koha për t’u përqendruar tek puna, për një ndryshim të madh jo thjesht që Shkodra të arrijë kohën e humbur për të paraprijë të ardhmen.

Ne duhet të nisim punën dhe të fokusohemi në përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo shkodrani, në zhvillimin e ekonomnisë, mbrojtjen e mjedisit, në promovimin e hapësirave, ideve dhe nismave. Duhet të punojmë për fëmijët e së nesërmes, për Shkodrën që tejkalon dhe pararend zhvillimin dhe sfidat. Besimi që na kanë dhënë qytetarët janë një garanci e fortë për suksesin tonë. “, tha ai.