Ndër vite mushkonjat kanë transmetuar shumë sëmundje si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët.

Pra, nuk ka të bëjë vetëm me bezdinë që pickimi i tyre shkakton, por mund të kthehen në një shqetësim shëndetësor për familjen dhe kafshët shtëpiake.
Krahas produkte të ndryshme që mund të ndihmojnë në largimin e mushkonjave mund të rendisim edhe disa lloje bimësh. Të cilat mbajnë larg mushkonjat në mënyrë natyrale dhe njëkohësisht i falin ambientit bukuri dhe aromë të mrekullueshme.

Livando
Aroma e tyre e këndshme, e cila vjen nga vajrat esenciale që gjenden në gjethet e bimës, kanë aftësi të mbajnë larg një sërë insektesh përfshirë edhe mushkonjat. Madje besohet se vaji i livandës pengon aftësinë e mushkonjave për të nuhatur! Kjo bimë është shumë e fortë dhe rezistente ndaj thatësirës dhe përshtatet lehtësisht në klima të ndryshme.
Kumaku
Një lule që rritet me lehtësi dhe lëshon një aromë që arrin të largojë mushkonjat. Rritini ato në vazo dhe vendosini pranë oborrit ose hyrjes së shtëpisë tuaj për të mbajtur jashtë mushkonjat. Kjo bimë jo vetëm që mund të mbajnë larg mushkonjat, por gjithashtu largon edhe shumë e shumë insekte të dëmshme për bimët.
Mentja
I përket familjes së nenexhikut dhe rritet e shitet me bollëk. Është shumë e lehtë për t’u kujdesur për të dhe funksionon vërtetë kundër mushkonjave.
Rozmarina
Një tjetër largues i mirë i mushkonjave është rozmarina.
Shumë prej nesh e njohin dhe e përdorin gjerësisht në kuzhinë. Aroma e saj drunore është pikërisht ajo që mban larg mushkonjat dhe disa lloje të tjera insektesh që dëmtojnë perimet.
Borziloku
Një tjetër barishte që mund të shfrytëzohet edhe si një përbërës kuzhine por edhe për të mbajtur larg mushkonjat. Aroma e mprehtë e gjetheve të borzilokut është ajo që i mban larg këto insekte. Dhe meqenëse të gjitha llojet e borzilokut janë të përshtatshme për të mbajtur larg mizat dhe mushkonjat, ndjehuni të lirë të eksploroni mes varieteteve.
Sherebela
Digjini gjethet e saj dhe aroma shpërthyese do të largojë menjëherë insektet. Përveç rritjes së bimëve të listuara më sipër, duhet gjithashtu që të kujdeseni më së miri për kopshtin tuaj në mënyrë që mushkonjat apo insektet e tjera të mos dalin jashtë kontrollit.
Gjëja më e mirë që mund të bëni është të parandaloni grumbullimin e ujrave, mushkonjat mund të bëjnë qindra vezë edhe në një lugë të vogël me ujë.