14 Qershor, Tiranë- Në Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe mjekët që trajtojnë fëmijët talasemikë, si dhe mjekët e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, u kanë drejtuar një apel të gjithë qytetarëve, për të rritur ndërgjegjësimin për dhurimin vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë.
“Në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, si dhe në çdo ditë të vitit, të bëhemi të gjithë bashkë, për të rritur ndërgjegjësimin për dhurimin vullnetar të gjakut, në ndihmë të fëmijëve talasemikë. Të solidarizohemi me kë ka më shumë nevojë, të fuqizojmë rrjetin e dhuruesve vullnetarë, duke kontribuar përmes këtij akti human për shtëpimin e jetëve”,- thotë Manastirliu në mesazhin e saj.
“Të gjithë pacientët tanë të vegjël kanë nevojë për një transfuzion gjaku, ata vuajnë nga sëmundje si talasemia, hemofilia, por edhe sëmundje të tjera malinje të gjakut, anemi të ndryshme, ndaj ju bej thirrje të gjithë njerëzve që të ndërgjegjësohen dhe t’i mbështesin këta fëmijë”,- thotë dr Daniela Nika, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Patologjive të Lindura të Gjakut në QSUT.
“Në përditshmërinë time kujdesem për pacientët me talasemi major dhe drepanocitozë, ata janë pacientë të vegjël dhe të rritur të cilët kanë nevojë për gjak. Bejini ata të ndjehen të lumtur, bëjini ata kenë një jetë cilësore duke dhuruar gjak nga gjaku juaj, i cili shumë shpesh do të zvëndësohet dhe ju do të ndjeheni më të freskët se asnjëherë tjetër”,- shprehet Prof. Asc. Manika Kreka mjeke e Shërbimit të Onko-hematologjisë Pediatrike në QSUT.
“Ne si Qendër Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut në këtë ditë falenderojmë të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut në vendin tonë dhe ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të dhurojnë gjak, të dhurojnë komponentë gjaku dhe të dhurojnë shpesh”,- apelon drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, dr. Irena Seferi.
Nevojat për gjak në stinën e verës rriten, për këtë arsye apeli i të gjitha institucineve shëndetësore është për më shumë dhurime vullnetarë në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për gjak. 14 Qershori njihet si Dita Botërore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut. Slogani I këtij viti është: “Dhuro gjak, dhuro jetë, dhuro plazëm, dhuro shpesh”.