Secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur” kështu ka thënë zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, për Evropën e Lirë, pasi u pyet rreth një drafti me propozimin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri tha më 8 qershor se drafti ishte në tryezën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Rama nuk dha shumë detaje nga dokumenti duke u shprehur se është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.
Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me draftin e propozuar nga Shqipëria.
Disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian, që thonë se kanë pasur mundësi të shohin tekstin e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të dorëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë thënë REL se, “teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”. Prandaj, sipas burimeve, “teksti po analizohet me kujdes”.