Të heshtur, e në pritje të informacioneve. Familjarët e zyrtarëve policorë, të cilët Kosova pohon se u rrëmbyen nga Serbia më 14 qershor, në një zonë kufitare mes dy vendeve, deklaruan se dinë pak apo aspak për të afërmit e tyre.
“Krejt ajo që ne dimë për familjarin tonë, është ajo që kemi dëgjuar në mediat e Kosovës”, u shpreh një anëtar i familjes së policit Beqir Sefa.
I afërmi, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, tha se lajmin familjarëve ua kumtuan disa kolegë të Sefës dhe disa komandantë të Policisë së Kosovës.
I mërzitur, ai tregoi se marrja e lajmit ishte moment i vështirë për familjen.
“Dikush është dashur të jetë atje. I ka rënë shorti familjarit tonë, atij tjetrit e atij tjetrit. Po të mos kishin qenë këta, do të kishin qenë disa të tjerë”, tha ai.
Radio Evropa e Lirë qëndroi në fshatrat Peran dhe Letancë të komunës së Podujevës, në verilindje të Kosovës, për të takuar familjarët e dy prej tre policëve, që Serbia pohon se u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj.
Në Letancë, familjarët e policit Rifat Zeka nuk deshën të flasin për rastin, duke thënë se kanë pak informacione.
“Jemi në kontakt me zyrtarë të institucioneve, por nuk ka asgjë të re nga ajo që dihet deri tash”, deklaruan ata.
Ndërkaq, kontakti me familjen e policit Shemë Mustafa, nga Mitrovica e Jugut, ka qenë i pamundur.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar jozyrtarisht se avokatë në Serbi, të angazhuar për mbrojtjen e policëve të Kosovës, kanë kërkuar dokumente e informacione për tre zyrtarët, rreth kohës dhe angazhimit të tyre në Policinë e Kosovës, e të tjera.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 19 qershor se do të vendosë nëse do të marrë pjesë në një takim krize të thirrur nga Bashkimi Evropian, pasi të kuptojë për gjendjen e tre policëve të Kosovës, që po mbahen në burg në Serbi.
“Unë dua fillimisht të pres vizitën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ambasadorit Jetish Jashari, në Kralevë, dhe vetëm më pas, kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë, që po mbahen peng, rob, në Serbi, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin për pjesëmarrjen në takimin e Brukselit”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.