Mbi 18 mijë turistë vendas e të huaj kanë vizituar gjatë periudhës janar-maj të këtij viti qytetin antik të Butrintit.
Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrintit, tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar- maj 2023 Butrinti u vizitua nga 18 764 vizitorë vendas e të huaj, duke shënuar një fluks të lartë. Ndërsa vetëm maji ka shënuar 14 371 vizitorë në total, nga të cilët 4152 vizitorë vendas, 6369 vizitorë të huaj dhe 3850 vizitorë pa biletë”.
Sipas saj, periudha janar – maj 2023 dëshmon se trendi i vizitueshmërisë totale ka shënuar rritje.
Sa i përket të ardhurave nga vizitueshmëria gjatë muajve janar – maj 2023, Dhima thekson se “Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar Butrint gjatë muajit maj 2023 ka gjeneruar në total 6948400 lekë, nga të cilët 2108300 lekë nga vizitorët vendas, 4840100lekë nga vizitorë të huaj.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit.