Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj njëkohësisht dhe kryetari i partisë “Forumi Shqiptar” në Mal të Zi i është drejtuar qendrës së votimit për të votuar për zgjedhjet parlamentare.

Pasi ka votuar, Gjeloshaj ka dhënë një deklaratë për mediat ku shprehet se orientimi i shqiptarëve në Malin e Zi do të jetë vetëm ai euroatlantik, duke theksuar se këta të fundit luajnë rol parësor në komunikimin e vendit me instancat europiane.

“Shqiptarët bashkë me pakicat e tjera janë mburoja më e madhe e asaj rrugës euroatlantike të Malit të Zi dhe besoj te pjesëmarrja e madhe e shqiptarëve, uroj që shqiptarët sot të dalin me sa më shumë mandate që të jenë sa më shumë në parlament dhe mendoj se kjo është e mirë për orientimin e Malit të Zi për integrimin euroatlantik”, tha Gjeloshaj.

Ndër të tjera, Gjeloshaj shprehu edhe shqetësimin për limitin e paktë të mandateve që ofron ligji malazez për përfaqësimin e shqiptarëve në kuvend.

“Maksimumi shqiptarët mund të prodhojnë deri në 3 mandate. Ky është ligji zgjedhor për fat të keq që ne na limiton si komb në Mal të Zi dhe është ajo që do të luftojmë politikisht të ndryshohet”, u shpreh ai.