Pritja mori fund. Për herë të parë në historinë e klubit Manchester City është shpallur kampione Europe. Klubi i sheikëve i drejtuar nga Pep Guardiola arriti të mposhtë në finalen e Champions League të zhvilluar në Stamboll Interin me rezultatin 1-0. Italianët përkundër pritshmërive u paraqitën mjaft dinjitoz në fushë, ndërsa episodi që përcaktoi ndeshjen më të rëndësishme të futbollit europian ishte në minutën e 68 nga Rodri.
Edhe pse pati disa raste të mira, fillimisht me Di Marco-n dhe më pas me Lukakun, Interi nuk arriti ta dërgonte ndeshjen në shtesë, ndërsa vërshëllima e trefishtë e arbitrit bëri që të shpërthente festa e madhe te britanikët. Lot gëzimi te Manchester City, ndërsa trishtimi te italianët.
Më këtë triumf Guardiola u bë trajneri i parë në histori që fiton tripletën me dy klube pas Barcelonës, ndërsa për Interin kjo ishte finalja e 6 në histori. Pas ndeshjes trajneri spanjoll i City-t deklaroi ‘se më fund ia arriti ta fitojë këtë trofe të vështirë’, ndërsa me shaka i kërkoi Realit ta ketë frikë, pasi për pak vite do ti afrohet ndjeshëm.
Sakaq trajneri i Interit Simone Inzaghi tha se ‘futbollistët e tij u treguan të magjishëm’, ndërsa kërkoi vazhdimësi që këtë sezon ta përsërisin edhe në të ardhmen. As presidenti Zhang nuk e bëri dramë, duke deklaruar se ‘është krenar për ekipin’ dhe sa ‘ka nisur punë për të ndërtuar një Inter më konkurues sezonin e ardhshëm’.