Një kioskë, që përdorej si pikë kontrolli nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut, është sulmuar me mjete plasëse.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se në momentin e sulmit nuk ka pasur policë në atë pikë.
“Rreth 03:00 në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një shpërthim që besohet të jetë shkaktuar prej një mjeti pirotektik, të kombinuar me material ndezës”, tha Elshani.
Sipas tij, si pasojë e këtij sulmi, është dëmtuar kioska që përdorej nga policia.
Kohëve të fundit janë shpeshtuar sulmet me mjete shpërthyese në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Më 26 qershor, objekti komunal i Mitrovicës së Veriut u sulmua me granatë dore, duke shkaktuar dëme materiale.
Autoritetet për këtë rast kanë iniciuar rast për “kryerje të veprës terroriste”.
Po ashtu ka pasur sulme me shok-bomba në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.
Këto ngjarje vijnë në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut.
Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri.