Seadet Myftia dhe Zabit Mehmedaj, janë dy 27-vjeçarët e shpallur në kërkim për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Agim Uraj në Shkodër, ngjarje e ndodhur mëngjesin e djeshëm.

Myftia dhe Mehmedaj janë të njohur për qytetarët e Shkodrës, pasi kanë qenë pjesë e ekipit të Vllaznisë, ndonëse lojtarë aktivë.

Dyshohet se ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Njoftimi i policisë

Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 29 qershor 2023, në lagjen “10 Korriku”, ku shtetas të paidentifikuar vendosën lëndë eksplozive në garazhin e automjeteve të një shtetasi.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u bë i mundur identifikimi i 2 shtetasve të dyshuar si autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, si dhe u bë shpallja e tyre në kërkim.

Autorët e dyshuar, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale.

Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve, të cilët janë larguar me një motomjet të vjedhur pak para ngjarjes, në qytetin e Shkodrës.

Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të DVP Shkodër dhe me Prokurorinë e Shkodrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, ku në derën e garazhit të automjeteve, në pronësi të shtetasit A. U., shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit Seadet Myftia, 27 vjeç dhe Zabit Mehmedaj, 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

Vijon puna intensive për kapjen e tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Vjedhja”.