Shanset për të rikuperuar trupat e 5 pasagjerëve që ishin në bordin e nëndetëses së vogël që shpërtheu në ujërat e thella të Altantikut, aty ku ndodhen dhe mbetjet e “Titanik”, janë të paqarta. Për momentin nuk ka asnjë përgjigje zyrtare ndaj “shpërthimit katastrofik” dhe ekipet e shpëtimit do vazhdojnë punën për t’i gjetur, ka deklaruar roja bregdetare amerikane.
“Situata në thellësitë e oqeanit është e pabesueshme dhe e pafalshme. Copëzat e gjetura janë pasojë e shpërthimit katastrofik të nëndetëses. Ne do të vazhdojmë kërkimet në thellësi, por për momentin nuk kam përgjigje sa i takon shanseve për gjetjen e trupave”, tha Admiral John Mauger, nga Roja Bregdetare amerikane.
Media të ndryshme amerikane raportuan se një instrument “top secret” i marinës së Shteteve të Bashkuara, i projektuar për të monitoruar nëndetëset, kishte regjistruar sinjale akustike, që dyshohet të jenë shkaktuar nga shpërthimi i nëndetëses.
Pasagjerët e mjetit ishin miliarderi britanik Hamish Harding, dy persona atë e bir të një prej familjeve më të pasura të Pakistanit, piloti Stockton Rush dhe eksperti i “Titanikut”, Paul Henri Nargeolet.
I pyetur nga BBC lidhur me ngjarjen, James Cameron, regjisor i filmit “Titanik” të vitit 1997, i cili kreu 33 zhytje në gërmadhat e anijes, deklaroi se dyshonte se zhdukja e nëndetëses do të përfundonte në katastrofë.