Rusia akuzon perëndimin se po nxit qëllimisht tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Kryetarja e Këshillit të Federatës, Valentina Matvijenko, pretendon se synimi i Uashingtonit dhe Brukselit është që të shtojnë presionin ndaj lidershipit të Beogradit duke e detyruar të prishë raportet me Moskën.

“Radikalët shqiptarë në Kosovë po i prijnë një konflikti të ri dramatik në rajon, ndërsa amerikanët, me ndihmën e NATO-s dhe Bashkimit Europian, po i nxisin energjikisht”, thekson zyrtarja e lartë e Rusisë. “Ata pranuan ultranacionalistët shqiptarë për vite të tëra dhe sot kur derdhet gjak pretendojnë se janë paqeruajtës”, deklaroi Matvijenko, duke pretenduar se kjo nxjerr në pah dështimin e plotë të Perëndimit në Ballkan.

Zyrtarja e afërt e Putinit, mbrojti presidentin serb Vuçiç duke thënë se përballet me presion të madh, por edhe duke aluduar se protestat kundër tij në Beograd, nxiten nga jashtë për të destabilizuar Serbinë.