Pas humbjes në Champions League, Simone Inzagi premton se Interi do të tentojë të kthehet përsëri në finalen e Ligës së Kampioneve. Trajneri i zikaltërve thotë se është krenar me skuadrën e tij dhe se ata bënë një ndeshje krenarie. Për ‘Sky Sport’, Inzagi tha se rrugëtimi në Champions ka qenë i shkëlqyer dhe se e meritojnë kthimin.

“U bëra komplimente djemve, kanë qenë të jashtëzakonshëm, kanë bërë një ndeshje të madhe. Kemi humbur një finale që e dëshironim me çdo kusht, por duhet të jenë krenarë. Nuk do i ndërroja këta lojtarë me asnjë dhe sot e gjithë bota e pa përse. Kemi lejuar pak kundër një skuadre shumë të fortë. Ka shumë pengje, por duhet të jemi krenarë. U kam dhënë një përqafim të madh, ashtu si tifozët tanë. Tifozët kanë festuar në Milano sikur Interi të kishte fituar? E gjithë bota e pa që Interi hodhi në fushë një ndeshje krenarie. Lojtarët janë të trishtuar por futbolli është i tillë. Duhet të jemi krenarë të rrugëtimit që kemi bërë me 5 finale në 20 muaj.

Kemi krijuar shumë situata dhe në 20 minutat e fundit me traversën dhe goditjen e kthyer nga Lukaku, pyet veten se si topi nuk hyri. Unë do të kisha dashur kohët shtesë, skuadra do i kishte merituar. Kemi bërë një rrugëtim të madh dhe e kemi parë sot në fushë. Sitin e njohin të gjithë, të dhemb, rrugëtimi në Champions ka qenë i shkëlqyer dhe duke luajtur kështu një finale, duam të kthehemi, pasi kemi mundësinë për ta bërë një gjë të tillë. Kemi luajtur 57 ndeshje, rrugëtimi është i jashtëzakonshëm” tha Inzagi pas ndeshjes.

Në finalen e Stambollit në stadiumin Ataturk Interi u mposht me rezultatin 1-0 nga Manchester City. Golin vendimtar e realizoi Rodri në pjesën e dytë, ndërsa italianët shpërdoruan disa mundësi për të rikthyer baraspeshën.

Gjithsesi në fund ishin anglezët ata të cilët festuan dhe fituan trofeun e parë të Champions League në histori, ndërsa kjo ishte finalja e 6 për Interin. 3 të fituara dhe 3 të humbura. Ndër të tjera për t’u theksuar trajneri Guardiola, i cili bëhet i pari në histori që fiton dy ‘tripleta’. Pas Barcelonës edhe me Manchester City-n.