Russian President Vladimir Putin arrives for a meeting with representatives of the business community at the Kremlin in Moscow, Russia February 24, 2022. Sputnik/Aleksey Nikolskyi/Kremlin via REUTERS ATTENTION EDITORS - THIS IMAGE WAS PROVIDED BY A THIRD PARTY.

Gjeneral brigadieri amerikan në pension, Kevin Ryan, është një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Belfer për Shkenca dhe Çështje Ndërkombëtare në Shkollën Kennedy të Harvardit, dhe shpeshherë komenton konfliktin në Ukrainë dhe çështje të tjera botërore.

Ai foli me Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë rreth asaj se kush dhe pse e ka shkatërruar digën Nova Kahovka dhe si mund të ndikojë në kundërofensivë ukrainase apo çfarëdo plani tjetër në fushëbetejë. Ai po ashtu foli për dështimet e perceptuara të Perëndimit për të parandaluar presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

Ai argumentoi se Putin mund të zgjedhë më parë që të përdorë armë bërthamore sesa të humbë lidhjen tokësore që kanë forcat ruse në jug të Ukrainës, provincat e pushtuara apo Krimenë e aneksuar.

Radio Evropa e Lirë: Diga Nova Kahovka, teknikisht më nuk ekziston. Për disa, ka ende pikëpyetje se kush mund ta ketë bërë këtë, pavarësisht se provat tregojnë se pas shkatërrimit të digës qëndron Rusia. Në interes të kujt është shkatërrimi i digës?

Kevin Ryan: Aktualisht, nuk është në interesin e asnjërës palë që të shkatërrohej kjo digë. I kam dëgjuar tri versione të ndryshme. Kam dëgjuar një version që thotë se “Rusia e ka bërë këtë”. Këto raportime kryesisht vijnë nga Ukraina dhe nga Perëndimi, ato vijnë nga Qeveria amerikane dhe NATO. Ata mund të kenë dëshmi për këtë pretendim.

Rusët, natyrisht, thonë se ukrainasit janë fajtor për këtë. Ekziston edhe një grup i tretë i raporteve – janë të vogla, por të rëndësishme – dhe ato janë thënë nga agjencia e lajmeve ruse, TASS dhe nga një guvernator lokal rus, i cili tha se “në fakt ka ndodhur një aksident në urë para kësaj dhe ai aksident çoi ‘prishjen e digës’, që sipas tij ndodhi pa pritur dhe nuk ishte e planifikuar”.

Për momentin, që të tri këto versione janë të mundshme.

Nga kjo ngjarje, Ukraina nuk përfiton asgjë. Mirëpo as Rusia nuk përfiton nga kjo situatë. Edhe pse, nëse Rusia e ka prishur urën dhe më pas e ka hedhur në erë, ajo çfarë më bën përshtypje për Rusinë dhe liderët ushtarakë rusë është se ata kanë shumë pak besim në mbrojtjen e tyre në rajonin e Hersonit – mbrojtje që e kanë ndërtuar ngadalë që nga vera.

Po të isha në vend të tyre, nuk do ta kisha përmbytur këtë zonë — akoma — derisa e pashë që së pari sulmet vinin në këtë rajon, dhe së dyti, që mbrojtja ime nuk ka mundësi t’i qëndrojë ballë këtij sulmi.

Radio Evropa e Lirë: Pra ishte një veprim nga pafuqia për zgjidhje tjera?

Kevin Ryan: Nëse kanë qenë rusët ata që e bënë këtë, atëherë po, do të e shihja si një veprim nga pafuqia.

Radio Evropa e Lirë: Si funksion kjo në fushëbetejë, nga një perspektivë më taktike? Si do të ndikojë kjo në kundërofensivën ukrainase?

Kevin Ryan: Vërshimet janë të mëdha, veçmas në pjesën jugore dhe lindore të rrjedhës [së lumit Dnjepër] dhe përmbytjet do të pamundësojnë kalimin e lumit nga forcat e mëdha ushtarake – shembull për ukrainasit – në një të ardhme të afërt, le të themi gjatë javëve të ardhshme. Pastaj, lumi mund të kalohet sërish, por terreni do të jetë me baltë, do të ketë pjesë të terrenit ku do të ketë dëme për të cilat ne ende nuk i dimë derisa t’i shohim. Prandaj, kjo ndërlikon çdo manovër në atë rajon apo plan që është bërë për atë pjesë. Ky është efekti në terma afatshkurtër.

Ndërkaq, efekti në terma afatgjatë do të jetë përdorimi i ujit, energjia hidroelektrike dhe të tjera, për të mos përmendur fushat e mbjella me produkte ushqimore që ka të ngjarë që janë shkatërruar.

Radio Evropa e Lirë: Ajo se çfarë ju përmendët është përdorur në fakt edhe si argument se kjo është vepër e rusëve. Në aspektin strategjik, rruga më e drejtpërdrejtë për të kaluar kufirin e Krimesë, është dëmtuar. Ukrainasit më nuk munden që të sulmojnë në drejtim të Hersonit, përveç nëse ata kryejnë një sulm shumë të pamundur nga uji. Çfarë do të thotë kjo është se vija e frontit është ngushtuar dhe shkurtuar dhe Rusia e ka luksin të përdorë forcat e saj atje për të përforcuar krahun lindor. A është i saktë ky arsyetim?

Kevin Ryan: Po. Unë i përmenda tri skenarë të mundshme në këtë: Ukrainasit, ndonjë aksident, apo rusët. Por, unë nuk e ceka se cila nga këto tri mundësi më së shumti mundësi të jetë i vërtetë; dhe do të doja që pajtohesha me opsionin se Rusia e ka bërë këtë sepse në këtë rast ata janë që përfitojnë më së shumti.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, pozicionet ruse në bregun e lumit duket se janë shkatërruar po ashtu. A pajtoheni se ka pak gjasa që të arrijnë të shpëtojnë pajisjet ushtarake që kanë pasur në atë zonë?

Kevin Ryan: Nuk kam informacione për dëmet e shkaktuara në mbrojtjen ruse. Po, çdo mbrojtje që ka qenë në zonën e vërshuar do të jetë shkatërruar tërësisht apo dëmtuar, dhe kjo nënkupton se ka pak gjasa që ajo mbrojtje të mund të operojë, siç ata e kishin planifikuar.

Pa dyshim, trupat duhet të lënë pas pajisjet e dëmtuara të tyre, duke i bërë trupat të cenueshëm ndaj sulmeve. Megjithatë, mbrojtja [ruse] në rajonin e Hersonit është e vendosur mirë dhe shtrihet deri në Istmus për Krimenë dhe në veri deri në Zaporizhja. Ka ende shumë pozicione mbrojtëse jashtë zonës së vërshuar që janë funksionale dhe në to ka ushtarë.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht nëse Rusia e ka shkatërruar digën ose jo, shkatërrimi i saj do të pengojë kundërsulmin e Ukrainës dhe t’u mundësojë rusëve që të blejnë kohë. A është ky një vlerësim i saktë?

Kevin Ryan: Absolutisht. Sa i përket palës ukrainase, vërshimet do të shtyjnë çdo operacion të madh apo lëvizje në atë rajon. Ka mundësi që Ukraina kishte parashikuar vërshimet dhe shkatërrimin e digës, dhe ata ndoshta nuk kanë planifikuar që ofensiva e tyre të zhvillohej në atë zonë. Por, çfarëdo që është planifikuar do të shtyhet apo do të ngadalësohet.

Radio Evropa e Lirë: Disa pretendojnë se Rusia e ka dëmtuar veten, duke e privuar veriun e Krimesë nga furnizimi me ujë nga diga Nova Kahovka “pë dekada të tëra”. Të tjerë pretendojnë se nuk ka të ngjarë të ketë ndonjë efekt të rëndësishëm pasi Krimeja është furnizuar gjithashtu nga Rusia në tetë vjetët e fundit, midis aneksimit të vitit 2014 dhe pushtimit në shkallë të plotë të vitit të kaluar.

Kevin Ryan: Shkatërrimi i digës krijon një problem më serioz sesa kur Ukraina kishte nën kontroll territorin dhe thjesht kishte ndërprerë kanalin, për të privuar Krimenë nga furnizimi me ujë.

Rusët janë përballur me këtë gjë për vite të tëra, prandaj e dimë se rusët janë në gjendje të mbijetojnë nga furnizimi me ujë që vjen nga veriu dhe ka të ngjarë që të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Por, shkatërrimi i digës bën që rinisja e rrjedhës së ujit të jetë një problem më i vështirë edhe sikur lufta të përfundonte sot.

Rusisë do t’i duhet një kohë më e gjatë që të rikthejë furnizimet me ujë nga veriu, që është një burim i madh ujor në këtë rajon, dhe kjo do të ketë ndikim jo vetëm për banorët dhe komunitetet civile, por edhe tek ushtria dhe tek operacionet e saj jashtë Gadishullit të Krimesë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Rusia mundet të furnizojë Krimenë nga burime të tjera, a nuk ka kuptim që kjo do të thoshte se heqë këtë levë ndikimi nga duart e Ukrainës?

Kevin Ryan: Pa dyshim, një prej arsyeve pse Rusia krijoi një urë tokësore dhe nisi këtë luftë ishte të kishte kontroll dhe qasje në Krime dhe të siguronte jo vetëm furnizime të energjisë elektrike për në Krime, por edhe furnizime me ujë.

Kjo është në krye të listë së Rusisë sa i përket gjërave që do të arrijë në Krime dhe ta mbrojë atë, si rezultat i kësaj lufte. Nëse Ukraina do të jetë në gjendje që t’ia pamundësojë këto gjëra Rusisë, atëherë do të ishte një situatë e patolerueshme në mendjen e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të ushtrisë. Kjo do të mund të nxiste atë që të përshkallëzonte dhunën në Ukrainë, duke përdorur çdo mjet, siç e ka thënë ai shpesh, duke aluduar në faktin që rusët kanë armë bërthamore.

Radio Evropa e Lirë: Sa të shqetësuar duhet të jemi për centralin bërthamor në Zaporizhja? Ka pasur raportime se ka mungesë të ujit, që përdoret për të ftohur reaktorët, pasi paraprakisht me këtë ujë ky central ishte furnizuar nga diga Nova Kahovka.

Kevin Ryan: Pavarësisht nëse po flasim për digën Kahovka apo jo, stacioni energjetik i Zaporizhjës, i cili është tërësisht bërthamor, është kyç në këtë luftë. Edhe para incidentit në Kahovka, rreth atij stacioni energjetik kishte luftime dhe dëmtimi i tij mund të çojë në shkrirje bërthamore, sikurse Çernobili, por do të ishte më i madh, sepse ky stacion është shumë më i madh se Çernobili.

Është një armë e mundshme që Rusia mund ta përdorë kundër Ukrainës duke shkaktuar atje një aksident bërthamor, që jo vetëm do të bënte që rrezatimi të prekte zonën lokale, por do të kërcënonte të gjithë njerëzit në zonën ku do të përhapej rrezatimi.

Pas Çernobilit shumë njerëz në mbarë Evropën pretenduan, dhe në disa raste treguan se ishin prekur nga kanceri për shkak të pasojave të shkrirjes bërthamore, rrezatimit. Kjo mund të ndodhë sërish, por kësaj here do të ishte dy ose tri herë më e madhe, nëse ndodh në këtë stacion [Zaporizhja].

Radio Evropa e Lirë: A mund ta përdorë Rusia këtë incident në Nova Kahovka si një lloj testi nëse e sheh se kjo e zmbraps Ukrainën, nëse forcat ukrainase dhe banorët gjenden në vështirësi. A mund ta shtyjë kjo Putinin dhe Rusinë që të shkojë një hap më tej dhe të bëjë diçka në Zaporizhja?

Kevin Ryan: Nuk i shoh këto si situata që pasojnë njëra-tjetrën. Po, nëse Rusia do të shkaktonte një katastrofë bërthamore në Zaporizhja dhe do të përfitonte ndonjë lloj avantazhi për të krijuar kaos brenda Qeverisë ukrainase, apo që të detyrojë forcat ukrainase të merren me shpëtimin e banorëve të rajonit, e gjithë kjo do të ishte në favor të Rusisë. Por, nuk e shkatërron ushtrinë ukrainase. Një veprim i tillë nuk parandalon një ofensivë ukrainase që të ndodhë në ndonjë zonë tjetër ose të ndodhë pasi aksidenti bërthamor të vihej nën kontroll.

Përdorimi i armëve bërthamore nga presidenti Putin do të ndodhte nëse ai do të humbte urën tokësore apo provincat që ka marrë nën kontroll ose nëse do të humbiste Kirmenë, dhe kjo mund të ndodhë pavarësisht ngjarjeve në Zaporizhja.

Radio Evropa e Lirë: Nëse ideja është se Putin do të përdorë sulme taktike bërthamore nëse e sheh se ura tokësore e krijuar nga ushtria e tij vihet në rrezik, a e shqyrton ai mundësinë që një rrjedhje apo kontaminim i mundshëm nga centrali në Zaporizhja të përdoret si armë të efektshme?

Kevin Ryan: Jo, nuk besoj se presidenti Putin ose udhëheqja ushtarake ruse e shohin në të njëjtën mënyrë një aksident që do të shkaktonte rrezatim me një sulm bërthamor. Ajo re tymi në formë kërpudhe, që shkaktohet nga një sulm bërthamor, mund të paraqes jo vetëm vdekje të tmerrshme dhe dëm për popullin ukrainas, por edhe fuqinë bërthamore të Rusisë dhe aftësinë e kësaj superfuqie që të përdorë një armë të ngjashme që janë për përdorur në Hiroshimë apo Nagasaki. Këto dy lloj sulmesh kanë mesazhe të ndryshme apo shfaqje të ndryshme të fuqisë.

Radio Evropa e Lirë: Në një shkrim tuajin të fundit, ju argumentuat se Putini me të vërtetë do të përdorë armët bërthamore për të shmangur humbjen në Ukrainë. Një shumicë dërrmuese e ekspertëve dhe analistëve perëndimorë kanë thënë se kjo është pamundur. Duket se ju nuk pajtoheni. Pse?

Kevin Ryan: Nuk jam i pari që paralajmëroj se kërcënimet e tij janë serioze. Shumë njerëz thonë se kërcënimet e tij janë serioze, por më pas ata shtojnë se “megjithatë, [përdorimi i armëve bërthamore] ka pak gjasa të ndodhë. Por, kjo i humb kuptim pjesës së parë të fjalisë. Pse do ta merrnit seriozisht një kërcënim nëse nuk ka gjasa të ndodhë?

Unë jam një nga të paktët që kam pohuar se jo vetëm që këto kërcënime janë serioze, por edhe ka gjasa të realizohen. Kjo e bën një kërcënim urgjent dhe nënkupton diçka tjetër që të tjerët nuk po e thonë. Nëse këto kërcënime pranohen se janë urgjente, më pas qeveritë do të bënin diçka. Nëse ato nuk janë urgjente, ose kanë pak gjasa të realizohen, atëherë qeveritë kanë shumë gjëra të tjera me të cilat duhet të merren që janë urgjente.

Unë nuk jam person që bëj panik, edhe pse shumëkush mund të thotë se jam për shkak të asaj që kam shkruar dhe kam thënë. Por, qëllimi im nuk është t’i alarmoj civilët. Për njerëzit që jetojnë në atë rajon – ukrainas dhe rusë – ky nuk është një diskutim teorik.

Audienca ime janë liderët politikë në Moskë, Uashington, Kiev dhe në kryeqytetet e shteteve të NATO-s. Ata nënvlerësojnë Putinin duke mos besuar se ai do të jetësojë kërcënimet sa i përket përdorimit të armëve bërthamore. Kur ata nënvlerësojnë një gjë të tillë, më pas ata besojnë se kërcënimet kanë pak gjasa të ndodhin dhe e shpërqendrojnë vëmendjen nga kjo temë.

Më nuk e kemi këtë luks. Ne duhet të mendojmë paraprakisht dhe të mendojmë tani për përgatitjet mjekësore, të ndihmës humanitare, përgatitjes e ushtrisë për të operuar në fushëbetejë të kontaminuar nga materiale bërthamore. Të gjitha këto ne duhet t’i bëjmë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk po e besoni argumentin se Putini është kategorikisht i bindur që të mos përdorë armë bërthamore në Ukrainë, sepse do të kishte pasoja katastrofale nëse vendos për diçka të tillë, nëse marrim parasysh deklaratën e Victoria Nuland?

Kevin Ryan: Nuk e di nëse gjithçka që ne themi dhe bëjmë në Perëndim do të bënte që Putin ose të përdorë armë bërthamore ose të mos i përdor. Ky është një vendim që i përket atij. Ai ka treguar se ndërmerr veprime pa mbështetjen e shumë liderëve të botës apo të njerëzve që janë në ushtrinë dhe Qeverinë e tij.

Atij i është dashur të hesht shumë njerëz që kanë folur kundër kësaj… Sepse Putin po merr vendimin bazuar në situatën e tij dhe në situatën në rajonet e Donbasit, Zaporizhjës, që rusët kanë marrë nën kontroll. Ai nuk do të përdorë armë bërthamore nëse përmes luftës konvencionale mund të parandalojë humbjen e këtyre territoreve.

Unë nuk mendoj se Perëndimi me të vërtetë i ka ofruar apo i ka treguar atij ndonjë gjë që do ta pengonte atë të përdorte një armë bërthamore në Ukrainë. A janë sanksione ekonomike? Ato nuk e kanë ndalur atë të bëjë çfarë ka bërë deri më tani. A është një sulm katastrofal bërthamor? Perëndimi ka gjasa ta bëjë një gjë të tillë, por ata nuk janë të përgatitur për diçka të tillë. Ata nuk kanë lëvizur forcat e tyre për t’u përgatitur për një sulm të tillë. Dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka thënë troç se nuk do të sulmojë ushtarët rusë dhe të nisë Luftën e Tretë Botërore.

Radio Evropa e Lirë: SHBA ka deklaruar se nuk do të hakmerrej me një sulm bërthamor, por nuk ka deklaruar se nuk do të sulmonte ushtarët rusë apo avionët rusë. Për shembull, ka pasur edhe një kërcënim se Perëndimi mund të shkatërrojë bazën detare ruse në Detin e Zi.

Kevin Ryan: Në këtë pikë, nuk pajtohem me ju. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë para mediave se nuk do të ketë ndonjë situatë ku ushtarët amerikanë vrasin ushtarë rusë. Ai ka thënë se kjo do të ishte e barasvlershme me luftë botërore. Deklaratat që ju po citoni, për shkatërrimin e Flotës së Detit të Zi, janë bërë nga njerëz të tjerë, por së fundmi i ka bërë edhe gjenerali David Petraeus. Ai nuk përfaqëson Qeverinë, nuk flet për Qeverinë.

Ky mund të jetë një ilustrim i një reagimi katastrofik, por besoj se Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë përjashtuar atë si mundësi. Nuk jam i sigurt për anëtarët e tjerë të NATO-s, por ata mund të veprojnë në mënyrë të pavarur edhe nëse anëtarët e NATO-s duhet të veprojnë në unitet. Një nga anëtarët e NATO-s mund të zgjedhë të dëgjojë këshillën e atyre që mbrojnë bombardimin e Flotës së Detit të Zi. Por, dyshoj se kjo do të ndodhë. Besoj se një përgjigje e tillë nuk është si opsion.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë masash parandaluese ka Perëndimi për t’u siguruar se një sulm bërthamor të mos ndodhë?

Kevin Ryan: Ne nuk kemi aftësi që ta parandalojmë Putinin që të bëjë diçka të tillë, sepse ne kemi thënë se nuk do të përgjigjeshim me armë bërthamore dhe unë besoj se ne kemi thënë se nuk do të përgjigjeshim me një sulm të madh konvencional.

Fjala “katastrofale” është përdorur, por nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë kjo. Duhet të jetë katastrofale në fushën ekonomike, diplomatike dhe informative, sepse nuk është katastrofale në fushën ushtarake.

Për të qenë i sinqertë, nuk mendoj se Perëndimi mund të bëjë diçka për ta penguar Putinin nga përdorimi i armëve taktike bërthamore në Ukrainë, nëse ai dëshiron.

Ka shumë gjëra që ne mund të bënim si rezultat i kësaj. Ne pastaj mund të ndryshonin pozicionin tonë dhe të themi: “Në rregull, ju keni përdorur një armë bërthamore dhe kështu, nga tash e tutje, ne do të bëjmë gjërat e mëposhtme nëse përdorni një armë tjetër bërthamore”. Mund të themi: “Epo ne do të hyjmë në luftë” ose “Do të bëjmë atë që kanë sugjeruar disa dhe do të godasim Flotën e Detit të Zi apo gjëra të tjera”.

Radio Evropa e Lirë: E pse mos të thuhen këto gjëra tani?

Kevin Ryan: Kjo është një pyetje e mirë. Sot, mënyra se si ne e shohim këtë luftë dhe situatën atje – balanca e forcave midis rusëve dhe ukrainasve, Perëndimit e kështu me radhë – është shumë më ndryshe nga sa e pamë në fillimin e kësaj lufte ose në ditët e para të luftës.

Qëndrimet dhe politikat tona kanë evoluar gjatë kësaj lufte. Kjo është e pritshme. Nuk mendoj se ka ndonjë turp në këtë. Të dyja palët ishin të papërgatitura për intensitetin e kësaj lufte dhe të papërgatitur, sinqerisht, për suksesin që populli ukrainas ka pasur dhe për qëndrueshmërinë e tyre të treguar gjatë kësaj lufte – dhe për mungesën e qëndrueshmërisë të palës ruse.

Të gjitha këto gjëra që ne do të thoshim sot janë ndryshe nga ajo që do të kishim thënë një vit më parë. Në këtë drejtim, unë mendoj se ne mund të dalim dhe të ndryshojmë atë që po i themi Rusisë, nëse mendojmë se kjo do të ndikonte në përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

Radio Evropa e Lirë: Për këtë, realiteti dhe narrativi duhet të formësohen. Me fjalë të tjera, a do të duhej të ndodhte një “Buça bërthamore” që Perëndimi të rishqyrtojë pozicionin e tij? (v.j. Buça është një qytezë në perëndim të Kievit, ku pas tërheqjes së forcave ruse, Ukraina, disa shtete perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e akuzuan Rusinë për krime të shumta lufte kundër civilëve).

Kevin Ryan: Nuk e kisha menduar këtë analogji, por është e shkëlqyer. Presidenti Putin do të synonte një “Buça bërthamore” nëse do të niste një sulm bërthamor në Ukrainë. Ai do të përpiqej të frikësonte si ukrainasit, ashtu edhe Perëndimin, në mënyrë që t’i jepte fund konfliktit dhe të kishte një armëpushim, i cili do ta linte atë me shumicën e asaj që ai ka nevojë dhe dëshiron, nëse kjo bëhet së shpejti.

Sipas ministrit [rus të Mbrojtjes], Sergei Shoigu, Rusia ka arritur shumicën e objektivave të saj. Sipas [Yevgeny] Prigozhin, shef shumë i rëndësishëm i kompanisë private ushtarake, Wagner, Rusia ka përmbushur shumicën e asaj që kërkon dhe dëshiron. Besoj se Putini beson se ka arritur shumë dhe se mund ta paraqesë këtë si një fitore. Por, ai nuk mund të ndalojë së luftuari tani, sepse ukrainasit nuk janë duke u ndalur.

Radio Evropa e Lirë: Le të marrim këtë shembull, kur ai me të vërtetë zgjedh të përdorë sulmin taktik bërthamor. Ju keni shkruar: “Në situatën e sotme, një sulm i vetëm bërthamor në Ukrainë mund të pengojë një kundërsulm ukrainas me pak humbje të jetës së rusëve”. Pra, pyetja e madhe do të ishte, si do të ndodhte? Dhe ku?

Kevin Ryan: Ka objektiva të tjera që ushtria dhe Shtabi i Përgjithshëm [rus] në Moskë mund të shqyrtojnë, teksa përgatiten për atë plan, nëse u kërkohet ta zbatojnë atë. Ata mund të synojnë popullsinë civile dhe të shkaktojnë tmerr dhe shkatërrim maksimal për popullin ukrainas, ngjashëm sikurse ndodhi në Hiroshimë ose Nagasaki. Ata mund të shënjestrojnë formacionet ushtarake.

Kur të dihet se cili është shtytësi kryesor i ofensivës dhe të bëhet i qartë për të gjithë, Rusia mund të nisë një sulm bërthamor ndaj këtyre forcave dhe të shkatërrojë sa më shumë forca të jetë e mundur. Kjo është ajo që desha të them kur shkrova në artikullin tim se ata mund ta mposhtin ofensivën ukrainase.

Megjithatë, gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, si Rusia [Bashkimi Sovjetik] dhe Perëndimi [Shtetet e Bashkuara] u trajnuan për këto lloje luftimesh. Ne ishim të përgatitur të operonim në atë që njihet si një fushëbetejë bërthamore, kur njëra palë ose tjetra përdorin armë bërthamore, por forcat duhet të vazhdojnë të luftojnë. Ata dekontaminohen, rindërtohen dhe ribashkohen përpara se të luftojnë në një formë më të shpërndarë, por vazhdojnë të luftojnë. Për fat të mirë, kjo nuk ka ndodhur ende në epokën tonë.

Nëse Putini përdor armë bërthamore, do të ndodhte diçka e paprecedentë në histori: ushtarët ukrainas nuk do të pushonin së luftuar, do të vazhdonin të luftonin. Megjithatë, ata do të duhej të luftonin në një fushëbetejë ku një armë bërthamore është lëshuar dhe mund të shpërthejë përsëri një tjetër. Pastaj ka çështje të rrezatimit, si dhe një sërë çështjesh të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Kjo është situatë post-apokaliptike?

Kevin Ryan: Pikërisht. Nëse kjo ndodh, do të jetë një rast i tmerrshëm dhe nuk mund të mbivlerësohet asnjëherë serioziteti e kësaj pune. Kjo lidhet me artikullin tim, ku unë argumentoj se është e vështirë të imagjinohet, aq e vështirë të mendohet, saqë është e lehtë të thuhet se nuk ka gjasa dhe kështu që nuk duhet të shpenzojmë aq shumë kohë duke u marrë me këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Nëse sulmi bërthamor do të ndodhte dhe ukrainasit do të vazhdonin të luftonin, çfarë do të bënte Putin atëherë? Të kryejë më shumë sulme bërthamore?

Kevin Ryan: Në rast se Ukraina do të vazhdonte të luftonte, unë besoj se ai do të ndjehej i lirë të niste sulme shtesë bërthamore nëse do të besonte se kjo do të ishte mënyra më efikase për të vrarë forcat ukrainase ose për ta detyruar Ukrainën të ndalonte luftimet.

Radio Evropa e Lirë: Dhe a do ta lejonte pjesa tjetër e botës ta bënte këtë?

Kevin Ryan: Nuk besoj se Putini në fakt po kontrollohet nga pjesa tjetër e botës. Edhe Kina, për të cilën shumë pretendojnë se e ka udhëzuar Putinin, duke i thënë të mos përdorë bombë bërthamore – ka deklaruar se kjo është vija e kuqe për ta. Kina i përcolli Putinit kundërshtimin e saj për pushtimin e Ukrainës. Për më tepër, presidenti kinez, Xi Jinping, dhe administrata e tij kanë diskutuar për nevojën që të zbutet retorika për sulmet bërthamore, armët bërthamore dhe kërcënimet bërthamore.

Për muaj të tërë, ata e kanë thënë këtë me zë të lartë, që Putin t’i dëgjojë. Po, Putini dhe Rusia kanë nevojë për Kinën dhe bashkëpunimin me ta, por edhe një herë, nuk besoj se Putini është i motivuar në fund të fundit nga ky mendim, nëse alternativa është humbja e kësaj lufte, humbja e rajonit të Zaporizhjës dhe Hersonit, ose humbja e Krimesë. Në ato rrethana, ai nuk do të mendohej dy herë për të bërë atë që e vlerëson si të nevojshme.

Radio Evropa e Lirë: A mund të imagjinoni një situatë në të cilën Putini humb betejën e Krimesë dhe urdhëron një sulm taktik bërthamor sepse sundimi dhe jeta e tij janë në rrezik. Por, a kërkohet ekzekutimi i urdhrit? Gjasat që ai të dëgjojë fjalët “është jeta juaj në rrezik, jo e jona dhe jo e Rusisë” janë të pakta. A mund ta marrë ai atë rrezik?

Kevin Ryan: Putini do të rrezikonte një gjë të tillë. Por, pyetja juaj se çfarë do të ndodhte nëse ai do të lëshonte një urdhër të tillë është një pyetje legjitime. Është gjithmonë e mundur, veçanërisht në sistemin rus, që dikush ta pengojë atë urdhër, qoftë në nivelin e Putinit dhe rrethit të tij të ngushtë ose në nivelin e ministrit të Mbrojtjes Shoigu, [gjeneralit Valery] Gerasimov dhe dy gjeneralët që do të duhej të zbatonin urdhrin, Oleg Salyukov [përgjegjës për forcat tokësore] dhe [Sergei] Surovikin [përgjegjës për forcat pushtuese të Rusisë në Ukrainë].

Ata mund të arrijnë në përfundimin se “kjo është e tepruar dhe ne duhet ta ndalojmë atë”. Por, ata nuk kanë gjasa ta ndalojnë atë. Ata janë zgjedhur vetë për të menaxhuar këtë operacion që nga janari. Putini vendosi tre gjeneralët në kontroll të forcave të tij taktike bërthamore në krye të këtij misioni në janar. Ata janë më të përkushtuarit. Reputacioni, karriera dhe jeta e tyre varen nga ndjekja e urdhrave të tij. /REL/