Nga Mero Baze/
Edi Rama përmendi sot publikisht atë që mund të quhet “Republika e KFOR” në Veri të Kosovës. Duke i kërkuar Albin Kurtit të bashkërendojë veprimet me faktorin ndërkombëtar rreth situatës në Kosovë, ai paralajmëroi se në Veri mund të bëhet realitet “Republika e KFOR”.
Bëhet fjalë për vendosjen e plotë të autoritetit të KFOR në Veri të Kosovës, të cilët do të marrin vendime që do t’ia diktojnë politikës së Kosovës.
Sot një akt i tillë ndodhi. KFOR ndaloi zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës të shkonin në Komunën e Leposaviqit ku është ngujuar kryetari në zyrë. Lejuan të kalojë vetëm njësitin policor të Kosovës. Nëse situata vazhdon kështu siç ka nisur, pak nga pak aty do shtohen forcat e NATO dhe prezenca ndërkombëtare do të jetë i vetmi faktor që do marrë vendimet.
Më parë kanë ndaluar të shkojë aty Liburn Aliun, ministër në qeverinë e Albin Kurtit. Në ditët që vijnë mund të ndalojnë dhe Albin Kurtin. I gjithë diskursi politik i Albin Kurtit kundër Perëndimit bazohet tek paranoja se “asosacioni” do të jetë një Republika Serbska si ajo e Bosnjës në Veri të Kosovës. Në fakt, SHBA dhe Bashkimin Evropian janë shprehur qartazi që nuk do ta lejojnë të krijohet një Republikë serbe në Veri të Kosovës, por nga ana tjetër nuk mund të pranojnë refuzimin e Albin Kurtit për t’i hapur rrugë planit franko- gjerman, i cili e ka thelbësore hapin e parë nga Kosova për krijimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Dhe nëse situata vazhdon kështu pa zgjidhje, përveç sanksioneve ndërkombëtare mbi Kosovën dhe Serbinë, produkti kryesor do të jetë “Republika e KFOR” në Veri. Për këtë “Republikë” janë të interesuar të dy udhëheqësit politik të Serbisë dhe Kosovës. Aleksandër Vuçiq, i cili është dakord në parim me planin franko- gjerman, që është njohje “de facto” e Kosovës, thotë që nuk e nënshkruan me dorë të vet këtë plan, por ai do të ndodhë.
Si do të ndodhë?
Natyrisht me imponim të faktorit ndërkombëtar përmes “Republikës së KFOR” në Veri të Kosovës, që do garantojë serbët se fati i tyre nuk është në dorë të Albin Kurtit.
Albin Kurti nga ana e vet nuk do ta firmosë me dorën e vet asosacionin e komunave me shumicë serbe, pasi e konsideron këtë si një lëshim ndaj Perëndimit dhe Serbisë. Por dhe ai po lë të ndodhë një gjë më e keqe se kjo, që është “Republika e KFOR” në Veri. Nëse do të bëjë asosacionin e komunave, ai do ketë shanse të qeverisë Veriun dhe të bashkëpunojë me faktorin politik serb atje, por nëse e merr nën kontroll KFOR, ai as si turist nuk ka për të shkelur më në Veri, aq sa mund të shkelte Milosheviqi në Kosovë pas qershorit 1999. Ndaj të dy, Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti, jo vetëm që e duan, por po bëjnë gjithçka që në emër të tyre të vendosin KFOR dhe NATO për Veriun, dhe ata të paraqiten si viktima në Kosovë dhe Serbi, duke thënë “nuk kemi faj”, “nuk ja dalim dot me NATO dhe KFOR”. Kaq është e gjithë loja e tyre.
Veçse nga kjo lojë Kosova del e dërrmuar, se përveçse humb Veriun, humb dhe aleancën me Perëndimin, ndërsa Serbia del më e fortë, se përveçse ja heq nga duart Veriun, Kosovës, tregohet dhe e dëgjueshme me Perëndimin, përballë Kosovës. Kështu të dy mund ta shtyjnë në pushtet, Albin Kurti si viktimë e Perëndimit, duke forcuar ndjenjat anti-perëndimore në Kosovë, dhe Aleksandër Vuçiq si hero i serbëve, që nuk dorëzoi Veriun në duart e shqiptarëve. Nuk është pak për dy hipokritë si ata, që të mbajnë njëri- tjetrin në pushtet, duke gjymtuar Kosovën.