Kolegji Zgjedhor ka nisur shqyrtimin e padisë së Lefter Maliqit dhe koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për zgjedhjet në Bashkinë Kuçovë. Kolegji vendosi t’i shqyrtoje në një të dy paditë, për shkak se objekti i kërkimit është i njëjtë. Maliqi kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e votave.

Në fjalën tij Maliqi tha se ka prova se ka pasur parregullsi në zgjedhjet vendore që u mbajtën më 14 maj.

‘Unë jam këtu dhe e kam bërë gjithë këtë publike vetëm për të vërtetën. Kandidati për kryetar bashkie duhet të deklaroi një për një ka qenë apo jo i dënuar jashtë shtetit. Kam besim se do të jepni një vendim më të drejtë për qytetarët e Kuçovës.’- tha Maliqi.

Maliqi dhe koalicioni kërkojnë nga Kolegji:

1.Ndryshimin e vendimit nr. 101, datë 16.06.2023 të ZAZ-së nr. 64, bashkia Kuçovë, qarku Berat “Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Kuçovë”.

2. Rinumërim dhe rivlerësim i votave për ZAZ-në nr. 64, të gjitha QV-të, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave për QV-të e listuara në tabelë.

3. Pavlefshmëri e vendimit nr. 101, datë 16.05.2023 “Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Kuçovë”.

4. Konstatim i pavlefshmërisë së vendimit të KQZ-së ku është emëruar sekretari i KZAZ-së nr. 64 Kuçovë, shtetasi Romeo Arizi.

5. Pavlefshmëri e vendimit të KZAZ-së nr. 64 Kuçovë, qarku Berat, për shtyrjen e numërimit të votës, nga ora 10:00 deri në orën 12:30.

6.Pavlefshmëri e pjesshme e fletës së votimit Kandidatët për Kryetar Bashkie për Bashkinë Kuçovë, në pikën ku është shënuar kandidati për bashkinë Kuçovë, qarku Berat, Kreshnik Hajdari .

7.Pavlefshmëri e veprimit juridik, formulari i dekriminalizimit, në emër të Kreshnik Hajdarit dorëzuar pranë KQZ referuar ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.