Nga Altina Marmullaku/
Sulmet ndaj policëve, gazetarëve, reagimet nga ndërkombëtaret, përjashtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ‘Defender Europe 2023’, e gjithë kjo për shkak të situatës së krijuar në komunat veriore, nuk morën asnjë përgjigje nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Edhe pse Osmani, është e emëruar njëkohësisht edhe si komandante supreme, nga ajo nuk është thënë as edhe një fjalë as për ‘Defender Europe 2023’.
Deklaratat e presidentes kanë qenë vetëm në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Veri.
Sipas ligjëruesit të shkencave politike, Dritëro Arifi, heshtja e presidentes karshi kësaj situate është e turpshme.
Ai pohon se për herë të parë Kosova është sanksionuar në mënyrë serioze nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “që nga aksioni në Veri e pastaj pas përjashtimit të Kosovës nga ‘Defender Europe 2023’, nuk ka pasur ndonjë deklaratë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani”.
“S’ka më turp sesa të jesh presidente dhe gjatë mandatit tënd të ndodh ky sanksionim, pasi po flasim për një organizim që kërkon vjet për t’u inkuadruar në këtë ushtrim”.
“Pra, presidentja është turpëruar, sepse në mandatin e saj ka ndodhur sanksionimi i parë serioz amerikan dhe tash e tutje presidentja vetëm është duke e vërtetuar se është notere e kryeministrit Albin Kurti”, thotë Arifi për Albanian Post.
Në rast se nuk do të ketë reagim nga presidentja as këto ditë, çdo reagim tjetër do të jetë i vonshëm dhe i papranueshëm.
“Pra, kjo i bie që presidentja nëse nuk lëviz tutje dhe nëse edhe sot nuk kemi një përgjigje të saktë, të prerë, se si do të shkojnë gjërat tutje a do të bashkëpunojmë me botën perëndimore apo jo, kjo do të thotë që vendi do të shkojë në izolim dhe pastaj çfarëdo aksioni që të merr presidentja do të jetë i kotë dhe i padobishëm”.
Pa reagimin e presidentes, sipas Arifit, tregohet se ky vend nuk ka një presidente, ka vetëm dikënd që e ushtron këtë rol.
“Sot është vendimtare që presidentja të tregohet lidere, nëse ka lidership në qeverisjen e saj apo politikbërjen e saj, sepse është një fjalë e vjetër ‘si ke ardhur, ashtu edhe shkon’. Prandaj, duhet të kemi shumë kujdes se si të sillemi me partnerët tonë më kryesorë me SHBA-në”.
“Nëse presidentja nuk del me një reagim të ashpër, atëherë ne mund të themi që ky vend nuk ka presidente ka vetëm ushtruese detyre që e bën kinse rolin e presidentes”.
“Gabimet e shumta të presidentes pas ngjarjes në Veri”
Për ish-komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, sjellja e presidentes së Kosovës është e papranueshme.
Ai në një bisedë për Albanian Post thotë se në një situatë të tillë, e veçanërisht kur ndodh një përjashtim i madh siç ishte stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023”, nga presidentja nuk është dashur të ketë heshtje.
“Presidentja është dashur të dal me një qëndrim të saj rreth situatës aktuale, veçanërisht për përjashtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ‘Defender Europe 2023’, pasi është komandante supreme”.
Kastrati, kritika ka ndaj presidentes edhe për mosthirrjen e Këshillit të Sigurisë në mbledhje në një situatë ku sulmet ndaj gazetarëve e policëve për 11-ditë kishin qenë të vazhdueshme, veçanërisht gjatë ditëve të para.
“Nuk i ka ftuar institucionet të cilat janë përgjegjëse nga të cilat duhet të marrë raporte për opinionet e tyre se si është situata dhe për propozimet se si të dilet nga kjo situatë”.
“Pastaj, është dashur ta thërras edhe kryeministrin, edhe kryetarin e Parlamentit edhe kryetarët e partive opozitare që të konsultohet, sepse Veriu i Kosovës nuk është vetëm i një partie politike, por është i gjithë Kosovës”.
Si ish komandant i FSK-së, ai pohon se “Defender Europe 2023”, ka qenë “ngjarje historike”.
Pavarësisht se presidentja nuk do të mund të ndryshonte ndonjë qëndrim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), një deklaratë e saj për opinionin publik ka qenë e nevojshme.
“Unë nuk mendoj që ajo do kishte mundur të ndikonte, por së paku është dashur të dal me ndonjë deklarim”.
”Osmani duhet të jetë garantuese e unitetit të popullit”
Kurse gazetari dhe analisti politik, Halil Matoshi, në një bisedë për Albanian Post thotë se presidentja e ka projektuar veten më ndryshe sesa roli që ka aktualisht.
Në raport me Perëndimin ai konsideron qe sjellja e presidentes është “korrekte”.
“Zonja Osmani, e ka projektuar vetën në politikë ndryshe, si partizane e Kurtit dhe tani nuk është duke pasur guxim politik që të ndajë rrugët me të, edhe pse është duke e mbajtur një raport korrekt me Perëndimin”, deklaron Matoshi për AP.
“Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, megjithatë po e luan rolin e mbrojtëses së pragut të fundit properëndimor të Kosovës”.
Por, shton se e para e shtetit vazhdon të jetë jashtë rolit të saj kushtetues.
“Presidentja përcaktohet të jetë garantuese e unitetit të popullit, duke qenë e hapur kundër mendimit opozitar, mediave e shoqerisë civile dhe duke miratuar në heshtje politikat antiperëndimore të Kurtit”.
Pas takimit me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar nga presidentja që të deklarohet rreth kësaj situate.
Escobar, kishte mbajtur një takim me gazetarë të martën, të një formati audio, ku ka folur për moskordinimin e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka tha se natyrisht që do të ketë pasoja
“Dua t’u siguroj njerëzve të Kosovës që lidhja në mes të SHBA-ve dhe Amerikës është në mes të popullit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo lidhje është e fortë dhe s’do të ndryshojë. Ne prapë do të jemi miqtë tuaj të fuqishëm, jemi të përkushtuar në pavarësinë dhe sovranitetin tuaj, sigurinë tuaj dhe prosperitetin ekonomik”.
“Shpresoj se njerëzit e kuptojnë se çfarëdo vështirësisë që jemi duke pasur me kryeministrin aktual nuk e afektojnë atë raport dhe atë ndjenjë. Por kemi sfida në raportin bilateral sa i përket kryeministrit”, potencoi Escobar.
Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.
Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, u lënduan edhe dhjetëra protestues.
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe vazhdimisht kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.
Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.
Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.