Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin ka diskutuar për situatën në veri.
Kreu i qeverisë së Kosovës e ia ka rikujtuar diplomatit britanik se sundimi i ligjit duhet të jetë parim bazë për të ecur përpara.
Sipas komunikatës të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka vlerësuar se kusht për mbajtjen e zgjedhjeve në veri është largimi i elementeve kriminale nga ajo pjesë.
“Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugë përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka pasur një telefonatë edhe me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.