Sot në orën 15:00 nga Uashingtoni emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Miroslav Lajçak, do të mbajnë diskutim publik lidhur me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, në kohën kur dialogu është një prej tri kërkesave të tyre kryesore për të dyja palët.

Në njoftimin e bërë nga Këshilli Atlantik thuhet se progresi i fundit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja kërcënohet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës.

Ky diskutim do të ofrojë njohuri se si SHBA dhe BE synojnë të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme që Serbia dhe Kosova të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme.